Deputeti i PD dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit Edi Paloka teksa ka folur për krizën në PD, u shpreh se largimi i Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë ku ai bën pjesë është rruga e vetme për zgjidhjen e gjendjes ku ndodhet.
Anëtari i Komisioni të Rithemelimit, i cili e cilëson Bashën të shkarkuar që nga Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe referendumi i 18 Dhjetorit, thotë se nuk ka negociata mes Komisionit dhe Bashës.
“Ndërmjetës midis nesh nuk ka pasur midis Komisionit të Rithemelimit dhe Lulzim Bashës. Ka pasur një kontakt apo takim të zotit Berisha me ish-deputetin Elmar Brok. Mesa di unë me kërkesë të Lulzim Bashës, në fund ka rezultuar që Brok i ka thënë Berishës që mbetesh e vetmja zgjidhje për këtë situatë në PD”, tha Paloka në një intervistë për Klan Tv.
Sipas Palokës, Basha kërkon që të marrë poste drejtuese para se të jap dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD, në mënyrë që të mbetet aktiv në politikë.
“Zoti Basha kërkon të marrë një pozicion qoftë edhe kryetar të një komisioni parlamentar për të qëndruar aktiv në politikë. Përderisa këto janë biseda që unë nuk kam qenë i pranishëm, nuk mund të marr përsipër as t’i konfirmoj, as t’i konsideroj si reale”, shtoi ai.
Propozimit të grupit parlamentar që edhe ish-kryeministri Sali Berisha të mos garojë për t’u rizgjedhur në krye të PD, Paloka i përgjigjet duke thënë se kjo çështje zgjidhet nëpërmjet votës së lirë.
“Në këto kushte është krejt absurde që t’i kërkosh atij që ka fituar, largimin nga politika. Por edhe sikur mos të ishin këto kushte, në një situatë tjetër më normale nuk mund t’i thuash dikujt largohu nga politika pa e hedhur në votë”, përfundon Paloka.