Ish koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi teksa ka komentuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga PD, tha se ishte një vendim i pritshëm, ndonëse shumë i vonuar.
Në një reagim për CNA.al, Patozi u shpreh se është akoma herët për të folur për çlirimin e PD, pasi sipas tij ky veprim “i ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet për perspektivën e saj politike, pasi ka lënë prapa një fushë të minuar”.
“Ishte e pritshme, madje shumë e vonuar. Dhe si çdo gjë në këtë botë që zvarritet gjatë nuk është e thënë patjetër që të bëjë mirë edhe kur më në fund litari këputet.
Ndaj është shumë herët për ta parë atë si një çlirim për fatin e Partisë Demokratike. Mendoj që i ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet për perspektivën e saj politike, pasi ka lënë prapa një fushë të minuar. Tani varet shumë se si do ta lexojnë protagonistët e tjerë ikjen jo aq të padjallëzuar të Lulzim Bashës”, tha Patozi për CNA.al.