Lulzim Basha deklaroi sot dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike, teksa drejtimin e PD-së e mori përkohësisht nënkryetari Enkelejd Alibeaj.
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, ka dalë kundër emërimit të Alibeajt, pasi thotë se nënkryetari i PD-së po mban të njëjtat qëndrime si Basha. Ai shprehet se edhe deputetët që kanë qenë brenda selisë së PD nuk kanë qenë dakord me deklaratën e Alibeajt, i cili foli në emër të grupit parlamentar të PD.
“E gjitha një gjë qesharake, vazhdë e asaj që po bënte Basha deri tani. S’është më fytyra e Bashës por dolën me të Alibeajt për të mbajtur të njëjtin qëndrim. Vetëm për bashkim nuk mund të bëhet fjalë kur mban qëndrime të tilla. Alibeaj është i shkarkuar njësoj si Basha, s’ka asnjë tagër. E bën qesharake, uroj mos të jetë vazhdë e misionit përçarës”, tha Paloka në Syri Tv.