Zv.ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeci, është shprehur pasditen e sotme se nga monitorimi dhe analizat e 245 orëve të fundit, nuk ka rezultuar të ketë asnjë shpend pozitiv me grip. Gjeci shtoi se dje është miratuar dhe urdhri për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të pa miratuara.
E pyetur nga gazetarët se sa do të zgjasë procesi i eleminimit të pulave të infektuara, zv.ministrja u shpreh se do të duhen deri në 5 ose 6 ditë. Sipas saj, procedura e kërkon që ato të eleminohen gradualisht dhe të tregohet kujdes i shtuar.
“Procesi është i gjatë, ka ende shpendë të gjalla që kanë destinacion eliminimin e tyre dhe procedura kërkon që ato të eliminohen gradualisht. Është një proces që mund të shkojë nga 5 deri në 6 ditë. Për vatrat e tjera bëj me dije që janë të pastruara, janë në numër të vogël të ngordhjeve. Janë ferma të vogla apo shpendët e oborrit që duhet të bëjnë dezinfektimit”, tha ajo.
“Do bëhet hetim epidemiologjik që do shohë si ka evoluar sëmundja dhe më pas do dilet në një konkluzion. Prioritet është shuarja e vatrave të ndalojmë përhapjen e sëmundjes në vatrat e tjera. Ky është fokusi, por situata është në monitorim të vazhdueshëm. Është një proces që do zgjasë dhe do vazhdojmë deri në momentin që do garantojmë që sëmundja është zhdukur”, vijoi zv.ministrja Ermira Gjeci.