Shqipëria ka dështuar të lëshojë në hapësirë sateliti e parë të saj, “Albania 1”, arsyet nuk dihen ende, megjithatë sipas planit të bërë publik nga vetë Kryeministri Edi Rama, një prej dy satelitëve do të lëshohej në hapësirë falë bashkëpunimit me kompaninë amerikane “Space X”, në mars të këtij viti.
Por teksa nga marsi kanë mbetur vetëm 4 ditë, është e paqartë nëse planet për ta bërë Shqipërinë me satelit në hapësirë janë braktisur njëherë e mirë, apo janë shtyrë për një moment tjetër.
Rama njoftoi një vit më parë se Shqipëria do të bëhej me dy satelitë, “Albania 1” i parashikuar të lëshohej në mars të 2022 dhe sateliti “Albania 2” i planifikuar për t’u lëshuar në qershor të këtij viti.
Në përmirësimin e infrastukturës teknologjike të Shqipërisë, duket se kanë mbetur pas edhe planet për blerjen e dronëve të famshëm nga Turqia.
Shqipëria ndau korrikun e kaluar nga buxheti për mbrojtjen një shumë prej 8.2 milionë euro për blerjen e dronëve turq “Bayraktar TB-2”, megjithatë nuk dihet nëse ka vonesë nga pala turke.
Polonia porositi një vit më parë dronë të tillë, por është ende në pritje të dërgimit të tyre.
Kërkesa për dronët truq është rritur ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës.
Përveç se sulmeve me precizion ajër-tokë, këta dronë shërbejnë dhe për operacione të ndryshme survejimi./Newsbomb