Trefishohet numri i biçikletave të shitura, Veliaj: Çdo sfidë kthehet në mundësi

0
65
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Numri i përdoruesve të biçikletave në Tiranë është shtuar në vitet e fundit kur bota është përballur me pandeminë, apo me rritjen e çmimit të naftës për shkak të luftës në Ukrainë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim të zhvilluar u tha se kjo është periudha më e mirë për të kuptuar rëndësinë e përdorimit të biçikletave.

“Fakti që është trefishuar numri i biçikletave që janë shitur, apo zhdoganuar, është një lajm shumë i mirë. Do të thotë se nuk jemi dorëzuar përpara kësaj sfide për diçka që s’e kontrollojmë dot, por kemi përqafuar një mundësi. Ndaj mezi pres që të shohim, jo vetëm përhapjen e dyqaneve të tilla nëpër lagje, por edhe përhapjen e kulturës që pasohet me shtimin e rrjetit të biçikletave. Këtë vit do të vazhdojmë ta plotësojmë atë që quhet “rrjeti minimal i biçikletave”, për të cilën po punojmë edhe me GIZ-in dhe KFË-në, dy agjenci gjermane të specializuara të zhvillimit urban”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku pohoi se distancat e vogla në Tiranë, që kërkojnë më pak se 15 minuta kohë, mund të kryhen fare mirë në këmbë, ose me biçikletë.

“Një shofer duhet t’i gëzohet faktit sa herë sheh dikë me biçikletë, sepse do të thotë se ka një makinë më pak në rrugë. Sigurisht, për disa njerëz makina është e nevojshme për të kryer disa distanca, por në kushtet kur Tirana ka një rreze prej 3-4 kilometrash, pra rreth 15 minuta nga kudo ku mund të shkosh, përdorimi i biçikletës ka kuptim, është më ekonomike, më e shëndetshme dhe sigurisht është një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj krize që po ndodh, të cilën nuk e kontrollojmë dot. Ama, mund të kontrollojmë mënyrën si sillemi vetë. Mund të kontrollojmë zakonet tona, stilin tonë të jetesës. Uroj që trendi i përdorimi të biçikletave të vazhdojë. Në ditët me trafik apo në ditët e një krize të naftës, duhet të themi eja ndërrojmë zakonin, më mirë përdorim biçikletën ose ecim në këmbë, sidomos në një vend si ky i yni, ku kemi 300 ditë diell”, theksoi Veliaj.

Zjarr Tv Ad