Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh kreut të Grupit Parlamentar të PD Enkelejd Alibeajt. Berisha tha se nëse ai vazhdon të ndjekë porositë e Lulzim Bashës, është i destinuar të dështojë.
“Çdo njeri që vazhdon me bashizmin, ndjek Lulzim Bashën dhe bën një gabim të madh, është i destinuar të dëshojë. Gjatë takimit në Shkodër, Basha u tha mediave se do hidhet në Gjykatë vendimi i Gjykatës. Nga një palë që nuk është palë. Ajo nuk është palë”, tha ndër të tjera Berisha në A2.
Më tej, ai u shpreh se Enkeljed Alibeaj është vetëm kryetar i Grupit Parlamentar dhe askush nuk e njeh për kryetar të komanduar të Partisë Demokratike. “Ai nuk është kryetar, nuk e njeh askush për kryetar, përveç atij që e propozoi dhe zonjës guvernatore”, shtoi Berisha.
Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit:
Së pari, Alibeaj, e gjithë Kryesia e PD dhe ish-kryetari janë shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Kuvend i legjitimuar dhe i pranuar dhe ligjërisht. Në këtë kontekst është qesharake të mendosh se mund të pranohet kryetar i PD një ish-nënkryetar.
Përsa i përket Grupit po. Unë e kam deklaruar se ai është kryetar i Grupit. Grupi ka një Kryesi dhe është ajo që duhet të përcaktojë axhendën dhe të orientojë Grupin. Në rast se ky rregull respektohet, ne jemi të prirur të vazhdojmë. Duhet të zgjidhet me votë të lirë. Ka një problem.
Zgjedhjet do bëhen siç thotë statuti, me kandidatura dhe votë të lirë për çdo post. Ne mendojmë se ai duhet të qëndrojë (kryetar Grupi) por vendimet duhet të jenë të Kryesisë dhe jo të tij.
Unë mendoj se Alibeaj dhe çdo demokrat duhet të ndalet dhe të mendoj se situata e krijuar në PD nga 9 shtatori ishte rezultat i vendimit të 9 shtatorit që mori kryetari Lulzim Basha. Ai, siç u shpreh vetë, për pasojat e këtij vendimi u largua, megjithëse ishte shkarkuar. Pranoi shkarkimin.
Çdo njeri që vazhdon me bashizmin, ndjek Lulzim Bashën dhe bën një gabim të madh, është i destinuar të dëshojë. Gjatë takimit në Shkodër, Basha u tha mediave se do hidhet në Gjykatë vendimi i Gjykatës. Nga një palë që nuk është palë. Ajo nuk është palë.
Të nesërmen Alibeaj bëri fakt vendimin e Lulzim Bashës. Ai është jurist dhe e di se duhet të ankimohet vetëm nga palët. Zbatoi thjesht porosinë e Lulzim Bashës. Ai nuk është kryetar, nuk e njeh askush për kryetar, përveç atij që e propozoi dhe zonjës guvernatore.