Ambasadorja Kim dhe këmbëngulja si tipar mençurie dhe marrëzie njëherazi

0
48
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Elona Caslli

Këmbëngulja në përgjithësi njihet si tipar i njerëzve të fortë për të fituar të drejtën e tyre të mohuar në një situatë të caktuar. Njerëzit mund të jenë këmbëngulës në mençurinë e tyre, sikundër mund të këmbëngulin edhe në marrëzinë e tyre.

Teksa një individ këmbëngul në mençurinë e tij, është i denjë për respekt, por teksa këmbëngul në marrëzinë e tij është i denjë veçse për mëshirë ose për gjykim kur këmbëngulja në marrëzi, bie ndesh me vendimet e institucioneve në Shqipëri dhe me vullnetin e vetë shqiptarëve.

Paradoksalisht shfaqja e ambasadores Yuri Kim pranë deputetit Alibeaj dhe teksti shoqërues i fotos së radhës, dëshmon as më pak e as më shumë veçse këmbënguljen në marrëzi të ambasadores për të dalë mbi vendimin e gjykatës lidhur me Kuvendin e 11 dhjetorit.

Ambasadorja Yuri Kim duhet të kuptojë se nuk mjafton një foto dhe një tekst me 5 fjali për të zhbërë një vendim gjykate, sikundër nuk mjaftojnë as ndajfoljet “para” ose “prapa” për të dirigjuar vullnetin e anëtarësisë, vullnet i cili e dha mesazhin e qartë më 6 mars, teksa dënoi qoftë aktin e blindimit të një partie dhe dhunimin e demokratëve me hunj dhe me gaz lotsjellës dhe qoftë kërcënimin me ngrënie bari nga ana e ambasadores.

Ambasadorja Yuri Kim duhet të kuptojë se me sjelljet e saj adiplomatike që fillojnë që nga tërheqja e gomave nga deti, që nga mbledhja e plehrave për një Shqipëri të pastër, që nga mbrëmjet e vazhdueshme me kabinetin rilindas nëpër Shqipëri, që nga përdorimi i shqiptarëve si dordolecë nëpër foto, që nga shpallja e fitores së Partisë Socialiste pa mbaruar ende procesi i votimit, që nga heshtja kur Veliaj shantazhon me institucionet e drejtësisë, që nga heshtja për çështjen e inceneratorëve, po përbën një njollë në fushën e diplomacisë dhe po i përfaqëson aspak denjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çdo njeri i paguan vetë faturat e veprimeve të veta në jetë dhe ambasadorja nuk bën përjashtim nga ky rregull, por kur veprimet e ambasadores amerikane zhbëjnë vendimet e institucioneve të drejtësisë, çdo shqiptari i lind e drejta të reagojë kundrejt diktatit të pashembullt të një ambasadoreje që mund të ngatërrohet lehtësisht me një ministre të kabinetit rilindas.

Post Scriptum– Ambasadorja Yuri Kim duhet të kuptojë se sa më shumë këmbëngul në marrëzinë e saj, aq më shumë e kthjellon publikun për misionin e saj në Shqipëri, mision i cili nuk ka të bëjë hiç me diplomacinë e mirëfilltë dhe me me përfaqësimin e duhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zjarr Tv Ad