Kryeministri Rama vizitë në Gjermani, sot takon Kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin. Ja axhenda

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama nis sot një vizitë zyrtare në Gjermani. Sipas axhendës, Kryeministri sot e nesër do të zhvillojë takimet me zyrtarët e lartë të shtetit. Fillimisht, ai do të takojë kryebashkiaken e Berlinit, Franziska Giffey, e më pas Presidentin Frank-Walter Steinmeier.

Mësohet se fokusi i diskutimit mes Ramës dhe Scholz do të jetë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, lufta në Ukrainë dhe kriza e shkaktuar prej saj, si edhe çështje të tjera ekonomike dhe të politikës mes dy vendeve. Gjermania është një prej zërave më të fortë pro nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, dhe qëndrimi i saj është vendimtar në qershor kur vendi ynë pret një sinjal pozitiv nga Brukseli zyrtar.

Pas takimit, Rama dhe Scholz do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp me median, ndërsa fill pas saj, Rama do të ketë një deklaratë për mediat shqiptare. Pikërisht në orën 18:00, Rama do të takohet me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, e më pas në orën 18:15 do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë mesit të muajit mars, edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i shoqëruar nga një delegacion i Parlamentit, zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani. Gjatë takimeve, Balla kërkoi nga BE që të mbajë sa më parë Konferencën Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me hapjen e negociatave për integrim në BE.

Gjatë vizitës në Gjermani, zyrtari i lartë socialist tha se deputetët gjermanë mbështesin përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Europën e Bashkuar. Ai këmbënguli dhe që Brukseli të liberalizojë vizat për Kosovën, pasi ka humbur besueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor lidhur me zgjatjen e procesit të integrimit.

“Unë besoj që ajo që gjeta këtu në Parlamentin gjerman, pa asnjë dallim, që të gjithë e mbështesin përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, MV, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe të Bosnjë-Hercegovinës në BE. BE duhet të rifitojë kredibilitetin e humbur duke mbajtur angazhimet jo vetëm me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe MV, por edhe me liberalizimin e plotë të vizave me Kosovën, e cila i ka përmbushur të gjitha kriteret, teksa iu desh të ndryshonte edhe kufijtë e vet, vetëm e vetëm që të plotësonte ato kritere të vendosura”, tha Balla.

Zjarr Tv Ad