Vilson Haxhiraj: I kujt është Sheshi i Flamurit ?

0
94
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Vilson Haxhiraj

Në prag të 110 vjetorit të Pavarësisë

SHESHI KOMBËTAR I FLAMURIT PO GJYMTOHET. HOTELI, NJË PËRBINDËSH BETONI, NUK DO TË PRISHET, PAVARËSISHT VENDIMIT TË KËSHILLIT BASHKIAK TË VLORËS. SHATËRVANI 100 VJEÇAR ËSHTË  HEQUR NGA SHESHI.

Sheshi i Flamurit është ansambël muzeal, që deri para pak muajve, përbëhej nga Monumenti i Pavarësisë, monumenti me shtizën ku ngrihet flamuri, varri monumental i Ismail Qemalit, shatërvani me katër sferat prej betoni, që simbolizojnë katër vilajetet e kombit shqiptar; Rruga Kosova ( Justin Godard ) prej nga hyri në Vlorë Isa Boletini dhe luftëtarët, që e shoqëronin, është pjesë e këtij ansambli. Në këtë rrugë ndodhet edhe shtëpia e qëndistares së flamurit, Marigo Posio. Objekti kryesor i Sheshit të Flamurit ka qenë  shtëpia e Syrja bej Vlorës, ku Ismail Qemali ngriti flamurin, akti simbolik i lindjes së shtetit shqiptar. Shtëpia u prish disa vite më vonë për t’i hapur rrugë planit rregullues të qytetit. Pallati i Sharrës, pronë e familjes Sharra, me shumë kontribute atdhetare dhe rezidenca e parë e qeverisë së Ismail Qemalit e më pas e Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit, gjithashtu është ndër objektet me vlera të spikatura historike. Rikonstruksioni i rrugës Kosova, kthimi i saj në identitet dhe vendimi i Këshillit të Bashkisë së Vlorës, i datës 28 dhjetor 2020 për prishjen e hotelit të ndërtuar mbi truallin e Pallatit të Sharrës, zgjoi në opinionin qytetar të Vlorës, shpresën e rindërtimit të kësaj godine historike, por edhe të  shtëpisë së Syrja bej Vlorës, që do të bënte të mundur materializimin e trashëgimisë  historike, të gjithë objekteve, që lidhen me Aktin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Shtetarët tanë kanë detyrimin moral dhe ligjor të ruajnë, të pasurojnë dhe konservojnë identitetin e simboleve të kombit, që kudo në botën e qytetëruar çmohen të vyer deri në shenjtëri. Ky vit jubilar ishte një mundësi e artë për të shtuar në inventarin e këtyre simboleve historike ,dy objektet e lart përmendura. Por ajo që po ndodh aktualisht me Sheshin e Flamurit, është shumë larg këtyre pritshmërive. Sheshi Kombëtar i Flamurit po gjymtohet. Hoteli, një përbindësh betoni, nuk do të prishet, pavarësisht vendimit të Këshillit Bashkiak të Vlorës. Shatërvani 100- vjeçar është hequr nga sheshi. Në vendin e tij janë ngritur konstruksione betoni, që kanë mbuluar pamjen dhe devijuar daljen e rrugës Kosova në Sheshin e Flamurit. Monumenti i Pavarësisë është “shkurtuar” për shkak të rrafshimit të platformës mbi të cilën ishte vendosur. Projektuesi i këtij programi, sipas vetë z.Rama, është arkitekt i huaj, mik i tij dhe kjo është arsye e mjaftueshme për k/ministrin tonë që ta zbatojë atë. Sheshi i Flamurit nuk është objekt në pronësi private të z.Rama, që i jep të drejtën të zgjedhç projektues sipas shijeve të tij personale. As shesh publik i zakonshëm, që gjithsesi duhet të rikonstruktohej me konkurim të disa projekteve, sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Bëhet fjalë për Sheshin Kombëtar të Flamurit, sheshin e të gjithë shqiptarëve. Emërtimi Kombëtar ende nuk është zyrtar, por i nënkuptuar dhe i gjithë pranuar si i tillë, sepse aty është kryer akti më madhor i historisë tonë: Akti i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Tirana konsiderohet kryeqyteti zyrtar, Parisi dhe Londra e shqiptarëve të gjithë botës. Por Vlora dhe Sheshi i Flamurit janë kryeqyteti shpirtëror, janë Meka dhe Medina e tyre. Sigurisht, ky përfundim vlen për njerëz, që dashurinë për atdheun nuk e ndjejnë dhe vlerësojnë si atavizëm dhe relike sentimentale; për pushtetarë që kanë qëllim shërbimin ndaj qytetarit dhe shtetit dhe dua të besoj që shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të tillë. Ndaj, një konkurs transparent për rikonstruktimin e Sheshit të Flamurit, me pjesçmarrjen e studiove projektuese të vendit dhe atyre të huaja, një juri profesionistësh, por edhe historianësh dhe intelektualësh të fushave të tjera, do të kishte produkt të fundit, një projekt të gjithëpranuar, që do të bënte Sheshin e Flamurit më të mirë në të gjithë treguesit, që ai ofron sot dhe nuk do të ishte nevoja për protesta dhe revolta qytetare. Kjo gjendje nuk është krijuar rastësisht.Respektimi i ligjit, ekspertiza profesionale, kolegjialiteti në vendimmarrje,tërheqja e opinionit të publikut,respektimi i Kartës së Autonomisë Vendore, nuk janë në mentalitetin dhe praktikën e punës të k/ministrit tone. Por Shqipëria nuk mund të jetë pafundësisht pre e tekave të një  k/ministri, që pushtetin, që i kanë deleguar qytetarët me votën e tyre e shpërdoron në mënyrën të paskrupullt. Revolta e shoqërisë civile për mbrojtjen e Sheshit të Flamurit duhet të shoqërohet edhe me dy aksione të rëndësishme ligjore; Denoncimit në Gjykatën e Vlorës për paligjshmëri të proçesit të ristrukturimit, me synim ndërprerjen e punimeve të ristrukturimit. Juristët protestues janë të vonuar në këtë çështje. Një kuadër ligjor i posaçëm për këtë shesh, që nga dhënia e statusit “Sheshi Kombëtar i Flamurit”, te ligjet, që mbrojnë identitetin e sheshit nga arbitrariteti i pushtetarëve të llojit “Rama”; ringritjen e shtëpisë ku u ngrit flamuri, të Pallatit të Sharrës dhe kthimin e tyre në muze , do të ishte zgjidhje afatgjatë e problemit. Deputetët atdhetarë të Kuvendit të Shqipërisë, veçanërisht deputetët e qarkut të Vlorës, më shumë se kushdo tjetër, kanë tagrin dhe detyrimin e madh moral, para opinionit kombëtar për t’i dalç për zot kësaj çështje. Vetëm kështu Sheshi i Flamurit do të jetë Sheshi i Lirisë dhe i Pavarësisë të gjithë shqiptarëve.

Zjarr Tv Ad