Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka reaguar pas lajmit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar ish deputetin Aqif Rakipi dhe biznesmenin Ylli Ndroqi.
Nga ambientet jashtë Kuvendit, ministri tha se Sapo e pashë në titra dhe që është thënë është thënë, është shkruar e zeza në të bardhë.
Pak më herët Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non-grata” ish-deputetin e PDIU në Elbasan, Aqif Rakipi, si dhe biznesmenin e njohur dhe pronarin e mediave Ylli Ndroqi.
Sipas DASH, Rakipi është përfshirë në ndikim të dëmshëm në politikë, i implikuar me grupe të krimit të organizuar që kanë blerë vota duke ofruar para, dhurata duke premtuar vende pune në këmbim të votave.
Ndërsa për biznesmenin Ndroqi, DASH tha se “ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qënë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media”.