Sot mblidhen të gjithë deputetët e PD-së, zbulohet nëse Basha do të përballet me Berishën, dy temat e ‘nxehta’ të diskutimit

0
91
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kreu i komanduar për njërën palë në PD, dhe kreu i grupit parlamentar për palën tjetër, Enkelejd Alibeaj ka thirrur mesditën e sotme një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve demokratë.

Mbledhja do të nisë në orën 13:00, ku pritet që të marrin pjesë të gjithë deputetët, qoftë të atyre që janë pozicionuar në krah të Foltores, atyre që kanë mbështetur Bashën, apo edhe ata që kanë mbajtur qëndrime disi më të moderuara.

Mësohet se në këtë mbledhje do të ketë dy tema diskutimi, e para lidhet me mënyrën se si do të bëhet bashkimi i PD-së, i kërkuar nga të dy palët, ndërsa tema e dytë lidhet me përplasjet që kanë pasuar që pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.

Vetë Berisha pritet që të jetë i pranishëm në këtë mbledhje, ndërsa Basha jo. Ish-kryetari i PD-së, i cili dha dorëheqjen vetëm pak javë më parë, duket se nuk është gati për një përballje me Berishën në sy të deputetëve të tjerë, edhe pse ka nisur një lëvizje për takime me mbështetësit e tij në bazë, ngjashëm me procesin e Foltores.

Ndryshimi i vetëm është se Berisha iu drejtua bazës në momentin kur ai u përjashtua nga partia që kishte drejtuar për më shumë se 20 vite, ndërkohë që Basha dha dorëheqjen, pasi nuk arriti të sillte PD-në në pushtet, edhe pse e drejtoi këtë parti për afro 9 vite.

Sa i takon pikave ku ndahen mbështetësit e Berishës dhe Bashës, është ajo për moskandidimin e ish-kryeministrit për kryetar të Partisë. Mbështetësit e Bashës, që përfaqësohen kryesisht nga medimet e Bardhit dhe Alibeajt, pretendojnë se Berisha do ta çonte pas PD-në në marrëdhënien me aleatët perëndimorë, duke iu referuar ‘non gratas’ së SHBA-ve.

Nga ana tjetër vetë Berisha është shprehur se e drejta dhe liria e votës, është një nga shtyllat e PD-së dhe vetë ai nuk mund të mos kalojë nga ky proces. Sakaq përballja mes palëve vijon dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku do të shqyrtohet apelimi i Alibeajt, për vendimin e shkallës së parë që e njeh Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues të PD.

Paralelisht me këto Komisioni i Rithemelimit ka nisur zgjedhjen e kryetarëve të degëve, dhe në 30 Prill ka thirrur Kuvendin Kombëtar, ku do të përcaktohet dhe moduli se si do të mbahen zgjedhjet për kryetarin.

Zjarr Tv Ad