Paketa e Ringjalljes Ekonomike, në Kosovë përfitojnë të gjithë, qeveria jep 100 euro për çdo familje

0
65
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar masat e reja që ka marrë qeveria e tij për të ndihmuar qytetarët për krizën energjitike dhe të rritjen e çmimeve.

Për muajin prill, qeveria e Kosovës ka dyfishuar asistencën sociale. Të gjithë pensionistët, punonjësit e sektorit privat, punonjësit e sektorit publik dhe studentët do të përfitojnë nga 100 euro.

Për familjet në nevojë janë shpërndarë 40 mijë pako ushqimore, teksa në total janë më shumë se 800 mijë qytetarë përfitues. Kurti u bën thirrje qytetarëve që të konsumojnë produktet e vendit, për të ndihmuar në forcimin e zinxhirit të ekonomisë dhe punësimit në Kosovë.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Nga muaji korrik 2021 e deri më sot, kemi ndarë 300 milionë euro për mbi 740 mijë përfitues të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Rritjen e ekonomisë sonë (prej 10,53% të Bruto Produktit Vendor) po e shpërndajmë për rritje të mirëqenies së qytetarëve duke e ndërtuar kështu shtetin social.

Prandaj, së bashku me ministrin e Ministrisë së Financave, Transfereve dhe të Punës, z. Hekuran Murati, sot prezantuam masa të reja në kuadër të Pakos:

– Dyfishim i mbështetjes për muajin prill për të gjitha familjet në asistencë sociale. Kjo mbështetje do të jetë mbi rritjen e përhershme prej 30%.

– 100 euro shtesë për pensionistët për muajin prill. Do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit, e kështu me radhë.

– Me nga 100 euro, për herë të parë, do të mbështesim të gjithë punëtorët e sektorit privat, rreth 300 mijë punonjës.

– 100 euro shtesë do t’u ndahen edhe mbi 80 mijë zyrtarëve publikë.

– Me nga 100 euro do të mbështeten për herë të parë rreth 80 mijë studentë të Republikës.

– 40 mijë pako ushqimore për shtresat më të cenueshme të shoqërisë tashmë kanë filluar të shpërndahen. Do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore.

– Kemi punuar për rritjen e pagës minimale dhe për heqjen e shkallës së parë tatimore në të ardhura personale. Nesër në mbledhjen e Qeverisë së Republikës do të miratojmë projektligjin që ndërlidhet me këtë, dhe do të hapim rrugën për rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, dhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Rreth 100 mijë punëtorë, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

Kësisoj, 100 milionë euro shtesë do të ndajmë në muajt në vijim mbi ndarjet e deritanishme të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e rreth 800 mijë qytetarëve.

Konsumoni produkte vendore sepse asisoj forcohet zinxhiri i ekonomisë dhe punësimit në Kosovë. Merrni kuponat fiskal sa herë që paguani kudo meqë taksat e kontributet tuaja ne ua kthejmë me rishpërndarje.

Zjarr Tv Ad