Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, ka mbledhur në Tiranë delegatët e kësaj force politike në kryeqytet dhe ka bërë të ditur planin për përgatitjen për zgjedhjet lokale të vitit 2023. Sipas saj, këto zgjedhje janë kritike pasi pushteti njëpartiak duhet të marrë fund.
“Zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm janë kritike. Ne kemi nevojë t’i japim fund një pushteti njëpartiak. Qytetari duhet të përcaktojë me votën e tij, dhe kjo do të jetë në qendër të fushatës së LSI. Shqipëria me Edi Ramën po përjeton një politikë shpopulluese”, u shpreh Monika Kryemadhi.
Për ta përforcuar këtë qëndrim të sajin, kryetarja e LSI tha se “Një pjesë e madhe e vëzhguesve dhe numëruesve të LSI, pas zgjedhjeve të 25 prillit janë larguar nga Shqipëria.” Më tej, Kryemadhi u shpreh se takimet me delegatët do të fillojnë shumë shpejt në të gjithë Shqipërinë.
“Misioni i LSI është integrimi i Shqipërisë në BE sado e madhe të jetë dashamirësia e vendeve europiane. Kemi kërkuar me këmbëngulje hapjen e negociatave dhe vazhdimin më tej të procesit të integrimit. Negociatat duhet të ishin hapur që në 2016. Vendi ka nevojë për të ndërtuar një politikë të re konstruktive, që zhvillon vendin në të gjitha dimensionet”, shtoi ajo.