Grida Duma ironizon përçarjen në PD: Ndarja e miletit në “dysh” a në “tresh”, i shërben atij që qeveris rehat

0
108
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma ka publikuar një fragment nga filmi “Koncert në vitin ‘36”, ku ironizon përçarjet në PD.

Ajo shkruan se “ndarja e miletit në “dysh” a në “tresh”, i shërben aq shumë atij që qeveris rehat në përçarje, sa s’dihet me sa e paguan”. Sipas saj politika shqiptare është e zhytur në moçalin e të shkuarës që përsëritet e përsëritet.

Postimi i plotë i Grida Dumës:

Arti është forma më e lartë e politikës! Veprat e mëdha artistike janë po aq dhe mjeshtëri e plotë e ideologjisë politike. “Koncert në vitin ‘36”, është padyshim një kryevepër e filmit shqiptar. Ndarja e miletit në “dysh” a në “tresh”, i shërben aq shumë atij që qeveris rehat në përçarje, sa s’dihet me sa e paguan.

“Kënga” siç thotë qeveria, nuk ka pse ndalohet, sa kohë që shërben që populli të rrijë gjatë dhe vetëm në shfryrje; qoftë kjo duke kënduar (a protestuar). Se në fund të fundit, pas shfryrjes koncerti mbyll perden, mileti ul ankthin e revoltën, e jeta është e justifikuar të vazhdojë fiks aq keq sa ka qenë gjithmonë, e ngecur aty në tē shkuarën. E patjetër këtij “skenari” nuk i mungon rëndësia e periferisë; aty diku në cep ngjiret një bori proletare që gjoja mbyt me tym e zhurmë ahengun e çingijeve.

Perdia nuk mbyllet nëse nuk përcillet me këshillën e të tremburve të kudogjetshëm, që i drejtohen çdo heroi qesharak, me urtësinë e dhimbshme të përvojës së të rrahurve që në vogëli!! E pra, “asgjë e re nga fronti i perëndimit”! Politika shqiptare është e zhytur në moçalin e të shkuarës që përsëritet e përsëritet.

Ndonjëherë madje “gjoja e reja” është më e shitur, më e përlyer, më e shukur, se vetë e vjetra që e adhuroi athshëm me gjithë forcën e mediokritetit, nga nevoja për “njëçik” pushtet. Të dashur miq, ka filma që rishihen gjithmonë dhe vlejnë sa herë shihen, e për këtë janë art i madh. Siç edhe ka skenarë, (politikë po aq), që përsëriten gjithmonë e nuk u bënë as bëhen dot kurrë një film artistik! E mbetën një dëm historik!

Zjarr Tv Ad