Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të naftës dhe benzinës, pas shtrenjtimit të tyre në bursat ndërkombëtare. Sipas vendimit të fundit, të marrë sot, një litër naftë me pakicë do të tregtohet me 226 lekë për litër, nga 219 lekë për litër që ishte deri tani. Vendimi do të fillojë të zbatohet nga ora 6 e pasdites.
Është rritur më lehtë çmimi edhe për benzinën, që do të tregtohet me 209 lekë për litër, nga 205 lekë për litër që ishte deri tani. Çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar në 115 lekë për litër, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë ky.
Në bursa, një litër naftë po tregtohet me 106 dollarë për fuçi, nga rreth 100 dollarë që ishte kur Bordi mori vendimin e fundit në datën 8 prill.
Në fillim të muajit mars, çmimet e naftës në vend shënuan nivele rekord prej rreth 260 lekë për litër, ndërsa me fillimin e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në bursa karburanti arriti në 130 dollarë. Në javën e parë të marsit u krijua Bordi i transparencës nga qeveria, i cili vendos periodikisht çmimet tavan të shumicës dhe pakicës, mbi të cilin tregtuesit nuk mund të operojnë. /Monitor