Deputeti i PD, Flamur Noka në një konferencë për shtyp nga selia blu, ka komentuar raportin e djeshëm të DASH.
Ai tha se raporti dëshmon se korrupsioni dhe keqqeverisja ka kapluar vendin, ndërsa është detyra e PD sipas tij që të rikthejë shpresën për shqiptarët.
“Qeveria e Edi Ramës përbën rrezik real për të drejtat e shqiptarëve, përmes presionit mbi drejtësinë dhe mediat e blerjet e votës. Ky është rezultat pas skanimit që DASH i ka bërë situatës së Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Ajo vërtetoi të gjitha shqetësimet dhe akuzat që PD dhe opozita ka ngritur gjatë kësaj qeverisje. A ishin të lirë shqiptarët të zgjidhnin ato që donin? DASH thotë jo, sepse është deformuar vullneti nga një qeveri që bleu votat dhe duke përdorur sistemin e patronazhistëve.
A është sistemi i drejtësisë i pavarur? Raporti thotë jo. Korrupsioni, pengoi gjyqësorin të funksiononte lehtësisht. Shqiptarët e dinë kush ka fuqinë për t’i bërë presion drejtësisë dhe ai është Edi Rama. Edi Rama një shfaqjeje të tillë e dha në Kongresin e PS ku urdhëroi SPAK se kë duhet të hetojë. PD ka votuar për një drejtësi që t’i japë fund pandëshkueshmërisë politike. A është kjo qeveri e korruptuar? Raporti i DASH thotë që po, në të gjitha degët e saj. Një kryeministër i korruptuar. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie”, u shpreh Noka.