Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka komentuar në studio raportin e DASH, të publikuar një ditë më parë në media për korrupsionin, mosndëshkueshmërinë apo dhe pavarësinë e gjyqësorit në vend.
Sipas ekspertit të kriminalistikës, raporti thuajse është i njëjtë sa herë publikohet, vetëm se kësaj radhe Shqipëria ka patur rezultate më negative krahasimisht me herët e tjera.
Gjithashtu në fjalën e tij Karamuço ka folur dhe për personat e shpallur non grata nga ana e SHBA dhe se çfarë parashikon ligji për ta.
“Fatkeqësisht asgjë”- tha Karamuço në studio.
Ndër të tjera, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka theksuar se kryeministri Edi Rama është zyrtari më i lartë në vend, i cili ka akses informacioni mbi çështje të caktuara, por fuqia e tij e vetme është artikulimi, më pas veprimin e ka në dorë SPAK.
“Rama mund të artikuloj por është SPAK ai që duhet të lëvizë. Informacioni dhe fluksi i thashethemeve publike është shumë i madh. Janë qindra portale që denoncojnë çdo ditë raste të caktuara. Ndonjherë mund të jenë sulme por ka raste që janë dhe të vërteta. Duhet të ketë një institucion që merret me keto denoncime.”- përfundoi Karamuço.