Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish për sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit. Ai ka thënë se këto sulme kishin për qëllim vrasjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Kryeministri ka kërkuar hetime për zbardhjen e rastit, njofton RTK.
“E kemi dënuar ashpër atë sulm i cili ishte terrorist. Me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që pësuan vetëm dëme materiale. Organet e rendit duhet ta zbardhin rastin, në anën tjetër duhet vlerësuar situata e sigurisë se çka duhet të ndërmarrim në vijim në mënyrë që të pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, por sulme mbi policët me qëllim të vrasjes së tyre. Strukturat ilegale të Serbisë dhe krimi i organizuar nuk do të tolerohen nga Qeveria e Kosovës”, ka treguar Kurti.
Ai ka shtuar se deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet të merren si fakte. “Për të gjithë hapët që marrim duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, kurrsesi nga Beogradi. Nuk ka nevojë që ata t’ju gënjejnë më shumë. Mos i merrni deklaratat e tyre për fakte”, ka thënë Kurti.