Kryetari i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu, në një konferencë për mediat, u shpreh se opozita duhet të veprojë si një e vetme në negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Ai tha se mendon që një personazh i ardhur nga fusha e politikës diplomatike apo akademike do të ishte më i përshtatshëm për t’u zgjedhur në krye të shtetit, pasi do të ishte një President mbi palët.
“Presidenti në gjykimin tonë është autoriteti më i lartë i vendit. Është e nevojshme që procesi të synojë konsensusin dhe jo ndarjen politike, që të garantohet uniteti i popullit.
Opozita ka detyrimin për të ofruar një proces konsensual, pavarësisht se përfaqësohet nga grupe parlamentare të ndryshme, të përfaqësohet si një e vetme. Kjo ka qenë edhe praktika që ne kemi ndjekur në zgjedhjen e Presidentit në vitet e tjera. Në këto negociata, të garantojnë kriteret dhe fushat mbi të cilat do zgjidhet Presidenti
Personalisht mendoj se një President i ardhur nga fusha politikës diplomatike dhe asaj akademike, do të ishte më i përshtatshëm për t’u zgjedhur kreu i ri i shtetit”, tha Mediu ndër të tjera.