Komisioni i Rithemelimit i ka bërë një kërkesë Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Energjisë dhe Aksionit për Klimën teksa sipas tyre Shqipëria ndodhet në prag të një krize të rëndë energjitike për një sërë arsyesh.
Komisioni i Rithemelit kërkon që të përmirësohet legjislacioni dhe të mbikëqyren politikat dhe masave të qeverisë .
Kërkesa:
Shqipëria ndodhet në prag të një krize të rëndë energjetike për një sërë arsyesh, ku përmendim si mungesën e politikave favorizuese për nxitjen e investimeve dhe rritjen e prodhimit vendas të energjisë, veçanërisht asaj të ripërtëritshme, ashtu dhe me situatën ndërkombëtare me çmimet e larta të energjisë, si pasojë edhe e luftës në Ukrainë.
Shqipëria është nënshkruese e konventave ndërkombëtare për zhvillimin e aksionit për parandalimin e ndryshimeve klimatike që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe në mënyrë sistematike duhet të përmbushë realizimin e kontributeve kombëtare të pikësynuara.
Dëshirojmë të sjellim në vëmendje, se aktualisht, parlamentet dhe qeveritë në mbarë botën, e veçanërisht në Europë, po intensifikojnë përpjekjet për përmirësimin e legjislacionit dhe ndërmarrjen e politikave që nxisin transformimin nga energjitë e lëndëve fosile drejt energjive të pastra për tu përballur me sfidat kombëtare të sigurisë energjetike dhe ato globale të ndryshimit të klimës.
Mbi këtë bazë, mendojmë se Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni kryesor i demokracisë, duhet të shumëfishojë iniciativat në çështjet e energjisë dhe aksionit për klimën, për përmirësimin e legjislacionit, mbikëqyrjen e politikave dhe masave të qeverisë dhe nxitjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile, organizatat e biznesit, grupet e interesit dhe gjithë aktorët e përfshirë.
Për këtë qëllim, si anëtarë të kuvendit, propozojmë si hap të parë, ngritjen e një Komisioni për çështjet e Energjisë dhe Aksionit për Klimën, në rrethanat kur çmimet e energjisë elektrike dhe të karburanteve po kërcënojnë gjithnjë e më shumë jetesën dhe mirëqenien e qytetarëve, ekzistencën e bizneseve dhe ecurinë e ekonomisë kombëtare.
Një komision i tillë do ishte i domosdoshëm për të nxitur debatin për Planin Kombëtar të Energjisë e Klimës dhe rritjen e sigurisë energjetike të vendit, zhvillimin me përparësi të legjislacionit e politikave afatgjata për energjitë e ripërtëritshme dhe diversifikimin e tyre, finalizimin e tregut të integruar të energjisë, nxitjen e masave për efiçencë të energjisë, dekarbonizimin dhe rritjen e ekonomisë së gjelbër, etj.
Nisur sa më sipër, besojmë të nderuar kolegë, që pavarësisht përkatësisë partiake, ju do ti bashkoheni propozimit tonë për të punuar sa më shpejt për ngritjen e Komisionit për Energjinë dhe Aksionit për Klimën, për të dhënë kontributin tonë si parlamentare, në përballjen me një nga situatat më të vështira me të cilën po ndeshet vendi.