Freedom House, liria e medias në rrezik

0
53
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Raporti i fundit i publikuar nga organizata “Freedom House” vlerëson se pavarësia e shtypit ka ngelur në vend numëro krahasuar me një vit më parë, duke u vlerësuar me 3.5 pikë. Duke e konsideruar vitin 2021, tejet sfidues për gazetarët por edhe për vetë themelet e demokracisë në Shqipëri, “Freedom House” përmend specifikisht skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale të publikuara nga Lapsi.al, i cili pas botimit të lajmit u përball me një hetim agresiv nga SPAK.

Freedom House mbi serverin e patronazhistëve të PS-së të publikuar nga Lapsi.al

Një rëndësi e veçantë në dokumentin e lëshuar nga organizata, që kryen kërkime dhe avokim mbi demokracinë, lirinë politike dhe të drejtat e njeriut, i kushtohet lajmit të publikuar nga Lapsi.al ku zbulohej grumbullimi  i të dhënave personale të mijëra qytetarëve shqiptarë dhe survejimi i tyre nga patronazhistët. Shkelja flagrante, e cilësuar nga shumë media europiane si një ‘Big Brother’ gjigand, u organizua nga partia në pushtet për qëllimet e saj elektorale.

Këto të dhëna, që përpunoheshin dhe përdoreshin nga Partia Socialiste, përmbanin informacione personale të 910,000 qytetarëve. Çka e bën edhe më alarmante, duke iu referuar edhe raportit, është fakti që këto të dhëna ‘vileshin’ nga një portal qeveritar, që ofron shërbime publike (e-Albania).

“Disa gazetarë dhe reporterë u përballën me ngacmime në vitin 2021, përfshirë Andi Bushatin dhe Armand Shkullaku të Lapsi.al pas ekspozimit të “sistemit të patronazhit” dhe keqpërdorimit të të dhënave personale të Partisë Socialiste. Gazetarët u përballën me presion dhe pajisjet e tyre u sekuestruan nga SPAK, duke vënë kështu burimet e tyre në rrezik serioz”, citohet nga teksti i “Freedom House”.

Siç konstatohet në raport, Partia Socialiste fillimisht e mohoi ekzistencën e kësaj baze të dhënash, por kryeministri Rama më vonë e pranoi se partia e tij, që nga viti 2009, kishte mbajtur një bazë të dhënash të brendshme, duke mbledhur informacione derë më derë, në kuadër të të ashtuquajturit “sistem i patronazhit”.

“Freedom House” thekson se shkeljet në këtë drejtim dhe pasojat tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale. Edhe më tepër keqardhje, lexohet ndër rreshtat e raportit për faktin se mbi këtë çështje nuk u nis asnjë hetim, ose mbi mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo trajtojnë të dhënat personale të qytetarëve.

Liria e mediave në Shqipëri

Raporti, kësisoj, del në përfundimin se media në vend është pjesërisht e pavarur. Aty thuhet se shumica e pronarëve të medias i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike.

“Rreth tetë persona kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në Shqipëri dhe i përdorin këto platforma për të lobuar për interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike. Ato (mediet) gjithashtu mbështeten në shantazhimin, ose diskreditimin e personave, që flasin kundër interesave të tyre, ose partive politike, që ato mbështesin”, shkruhet në raport.

Demokracia në Shqipëri e dominuar nga politika partiake klienteliste

Në raport po ashtu thuhet se Shqipëria futet në ato vende ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Sipas “Freedom House” qeverisja është e dominuar nga politika partiake klienteliste. Zgjedhjet shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera. Po kështu, raporti vlerëson se shoqëria civile vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj. Sa i takon korrupsionit ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë. ©Lapsi.a

Zjarr Tv Ad