Rindërtimi/ Pak transparencë! Institucionet “lënë në errësirë” edhe Avokatin e Popullit:

0
50
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Zërat kritikë për transparencën e munguar të një prej proceseve më komplekse në vend siç është ai i rindërtimit janë shtuar edhe me atë të Avokatit të Popullit.

Në raportin vjetor të institucionit thuhet se vetë institucionet publike të përfshira drejtpërdrejt në shumë raste janë treguar indiferente në kthimin e përgjigjeve apo edhe kur kanë bërë këtë nuk kanë qenë shteruese.

“Gjatë hetimit administrativ të procesit të rindërtimit në tërësinë e tij por edhe të rasteve konkrete, kemi hasur në pengesa nga vetë organet shtetërore përgjegjëse për trajtimin e kësaj problematike. Evidentojmë me shqetësim të vazhdueshëm faktin se organet kompetente (si bashkitë apo MSHR) nuk janë bashkëpunuese, duke mos na kthyer përgjigje apo edhe kur kemi përgjigje këto nuk janë ezauruese në të gjitha kërkimet tona” thuhet në raport.

I njëjti paraqet se ankesat nga banorët janë të shumta dhe lidhen me raste nga më të ndryshmet duke nisur me e bonusin e qirasë, strehimin e tyre, procesin e rindërtimit, transparencën e organeve shtetërore në vlerësimin e objekteve dhe hartimin e dokumentacionit përkatës, zvarritjen e procesit të rindërtimit.

“Gjatë hetimit administrativ janë konstatuar problematika lidhur me mungesën e trajtimit të të gjithë banorëve të prekur me bonus qiraje. Në mjaft raste qytetarët nuk kanë mundur të aplikojnë apo janë paraqitur pengesa të tjera të cilat kanë të bëjnë edhe me faktin se një pjesë e shtetasve kanë një qasje më të ulët në mjetet e komunikimit elektronik. Kjo ka pamundësuar përfshirjen e tyre në listat e përfituesve.

Banorët shprehen se janë të paqartë dhe nuk kanë informacion mbi kohëzgjatjen e procesit të rindërtimit të pallateve dhe zona ku do të rindërtohen pasi mungon transparenca e institucioneve lidhur me këtë fakt. Edhe në kërkesat tona kemi kërkuar vazhdimisht informacion lidhur me kohëzgjatjen e procesit, transparencën e këtij procesi në tërësinë e tij dhe në raste të caktuara e konkrete, fazën në të cilën gjendet, aktet administrative të nxjerra për këtë qëllim, por nuk kemi marrë përgjigje të sakta dhe që shprehin qëndrim transparent nga institucionet përgjegjëse” thuhet në dokument.

Zyra e Avokatit ë Popullit thekson se një nga parimet e procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 është ai i kontrollit dhe përgjegjshmërisë së përdorimit të fondeve. Por duket se transparenca në këtë aspekt mbi shumë element që duhet të bëhen publikë ka qenë minimale.

“Të dhënat e publikuara duket se janë minimale, nuk shprehin parimin e transparencës reale dhe në disa raste është e vështirë për t’u aksesuar nga të gjithë personat dhe me njohuri jo të thella në mjetet e komunikimit elektronik. Qeveria, organet kompetente kanë detyrimin të raportojnë në mënyrë të vazhdueshme për përdorimin e fondeve. Gjithashtu, duhet të ketë një strategji të qartë komunikimi dhe një mekanizëm për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve dhe trajtimit të tyre me shpejtësi dhe korrektesë ligjore. Programi për rindërtimin e banesave duhet të ketë në qendër përfituesit e tij, pronarët e banesave apo objekteve të tjera të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore, duke siguruar pjesëmarrjen efektive të tyre përmes mekanizmave konsultues” thuhet në raport.

Procesi i rindërtimit nisi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 ku në fokus u vu ndërtimi i banesave dhe mbështetja e të gjithë familjeve të prekura nga kjo ngjarje. Raporti i hartuar për vlerësimin e dëmit doli në përfundimin se ai kishte një vlerë rreth 1 miliardë euro duke prekur në total 11 bashki në vend. Të paktën 78.5 për qind e dëmit ishte në sektorin e strehimit dhe më pak në atë prodhues dhe edukim./N.Maho/MONITOR

Zjarr Tv Ad