Nga Grigels Muçollari- Nga drejtësia me mik te drejtësia me Kim ndryshoi vetëm kopertina

0
154
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Grigels Muçollari

Ka disa vite, qysh prej motit kur shqiptarët dëgjuan sloganin “Reformë në Drejtësi”, që janë rritur pritshmëritë nga gjykata. Flitet se diçka e madhe po vjen, se të mëdha janë kokat që do të priten. Njerëzit nuk e fshehin entuziazmin.

Në vend të skllevërve gladiatorë, në arenë tani do të përleshen senatorë. Populli do të shijojë spektaklin me kërshëri teksa senatorët e politikës do t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Më shumë cirk, më pak bukë.

Si të mos mjaftonte politika, tani me slogane flet edhe kryeambasadorja. Slogani “Drejtësi e Re” zëvendësoi sloganin e tejkonsumuar “Drejtësi e Pavarur”.

Shqiptarët nuk besojnë në pavarësinë e gjyqësorit, prandaj ky slogan nuk ecën më. “Drejtësia e Re” zuri vend, ngjiti, se fundja e reja u ngjit të gjithëve.

Koha kalon dhe kjo “Drejtësia e Re” nuk po qullos gjë.

Se sloganet, edhe ato të importuarat, nuk e kanë të gjatë përdorimin.

Reforma në Drejtësi është si një kopertinë pa libër, si një vitrinë pa dyqan, si një derë e jashtme pa shtëpi, nga ato që shohim rrugëve rurale.

Me fjalë të tjera, Drejtësia e Re kalon dorë më dorë nga Rama tek e plotfuqishmja Kim dhe anasjelltas. Nuk ndodh gjëkundi në Europë që një diplomate e huaj të përdorë influencën e saj në vendimet e gjykatave.

Vetëm po e ka lënë mendja. Me ndërhyrjet e saj, kryeambasadorja na e bëri të qartë se edhe Drejtësia e Re nuk është e pavarur. Pasi u tha shqiptarëve se kë duhet të votojnë, kryeambasadorja u shfaq si Maliq mbi ligj.

Jo më larg se dje Drejtësia e Re e kryeambasadores dha një vendim që jurisprudenca nuk e njeh.

Ankimon një vendim gjykate dikush që nuk është fare palë në gjyq. Si të thuash, burrë e grua divorcohen dhe dashnorja ankimon vendimin.

Unë nuk di t’ju them se edhe sa ditë do të zgjasë çudia, po për diçka jam i bindur, që kjo e reja nuk është drejtësi e modelit amerikan. Nuk i ngjet fare. Turp madje ta quash kopje.

Nga drejtësia me mik te drejtësia me Kim ndryshoi vetëm kopertina.

Zjarr Tv Ad