Valdrin Pjetri, kryebashkiak i zgjedhur dhe i dorëhequr i Shkodrës pa bërë ende betimin, është rikthyer në sistem. Gjykatat shqiptare i dhanë të drejtë për një procedim të vitit 2003 në Itali, procedim të cilin PD e përdori në 2019 për të mos e lejuar atë të merrte detyrën.
Sot, Pjetri ka lënë pas të shkuarën është rikthyer në sistem dhe punon si ekspert i trajtimit të pronave. Ai ka folur për ndryshimin rregjësor që ka pësuar Kadastra dhe bashkimin e dy institucioneve në një, ALUIZNI-t dhe Hipotekave.
“Dalëngadalë (ASHK) po u jep zgjidhje problemeve të pronësisë që kanë qytetarët sot.
Bashkimi i institucioneve është diçka e duhur, pasi në dy institucionet e mëhershme qytetarët duhet të bënin dy korrespondenca. Një herë me ALUIZNI-n për të marrë lejen e legalizimit, pastaj te Hipoteka për të bërë regjistrimin e pronës. Sot ata kanë një zyrë të vetme, që është ASHK-ja”, është shprehur Valdirin Pjetri.
Ai ka folur dhe për pronat në bregdetin e jugut, për të cilat ka thënë se tashmë prej një viti Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur një punë të madhe, për regjistrimin e zonës.
Jugu dhe disa zona të tjera të vendit nuk kanë akoma një regjistrim fillestar, u shpreh Pjetri.
“Bregu i Shqipërisë, zona e jugut, nga Vlora në Sarandë ka pasur tepër interes për t’u zhvilluar. Kur një kompani vjen për të investuar, gjënë e parë që duhet të pajiset është dokumentacioni për pronën të cilën ajo blen apo merr me qira. Bregu dhe disa zona të tjera të Shqipërisë nuk e kanë akoma regjistrimin fillestar.
Nga ASHK-ja është filluar prej një viti një punë e madhe, për regjistrimin e zonës”, shtoi ai.
Në një intervistë për Valbona Mhillin në “MCN TV”, si ekspert i trajtimit të pronave Valdrin Pjetri tregoi si mund të zgjidhet problemi i mbivendosjes së pasurive. Sipas tij, Shqipëria ka një problematikë të mbartur me hartat e vjetra dhe hedhjen e disa titujve të pronësisë në të njëjtën parcelë.
“Duke patur një problematikë me harta të vjetra dhe hedhjen e disa titujve në të njëjtën parcelë, këtu krijohet mbivendosja.
Zonat të ndara në zona kadastrale që kanë dhe probleme hartografike. Zgjidhja e problemtit të mbivendosjes shkon paralel me regjistrimin fillestar.
Kur të bëhet regjistrimi fillestar do dali në pah se ku janë mbivendosjet. Në këtë moment zyrtari i Kadastrës e konstaton, vendos kufizim dhe njofton palët.
Kemi zgjidhje të tipit bilateral kur të dy palët bien dakord me një deklaratë noteriale dhe e zgjidhin. Pastaj është Gjykata, organi final që zgjidh mbivendosjen. Por paralel punohet dhe me procedurën përmirësim/përditësimit, një traditë që bëhet prej vitesh në ASHK, pra sistemon kufijt”, sqaroi Valdrin Pjetri.
Ai vlerësoi dhe punën e portalit qeveritar “e-Albania”, për dixhitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin e ndërveprimit mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore.
“E-Albania lehtëson shumë ndërveprimin mes qytetarit dhe institucionit. Secili nga ne sot ka aplikacionin dhe kartelat e pasurise, apo certifikatën e pronësisë e ka në celular. Ky dokument e ka një vulë, një firmë elektronike.
Kjo i jep asaj vlefshmërinë juridike. Është bërë një punë shumë e mirë”, tha Pjetri.