Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka folur në një intervistë për “Zërin e Amerikës” mbi krizën energjitike dhe rritjen e çmimit të karburanteve.
E pyetur për akuzat e deputetit Erion Braçe, i cili akuzoi qeverinë se ka lënë vetëm dy brokera që furnizojnë me naftë me shumicë gjithë Shqipërinë, ministrja u shpreh se këto akuza nuk qëndrojnë, pasi në vendin tonë janë 18 kompani shumice (brokera).
Përsa i përket ngritjes së Bordit të Transparencës, ministrja tha se bordi ka si synim kryesor për rritjen e transparencës në çmime të karburanteve, teksa shtoi se “krijimi i bordit në fakt është në kundërshti me parimet tona për funksionimin e ekonomisë së tregut ku çmimi nuk mund të përcaktohet nga qeveritë por duhet të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta”.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Ju keni ngritur tashmë dy borde për mbajtjen nën kontroll të çmimeve të karburantit dhe ato të ushqimeve të shportës. Si ka mundësi që në rastin e karburanteve ju ndryshuat metodologjinë e përllogaritjes së çmimit brenda dy javësh. Ka patur kritika edhe nga deputetë të shumicës se akti i dytë normative u bë nën ndikimin e kompanive importuese duke qënë se i favorizon ato.
Delina Ibrahimaj: Në fakt kritikat sigurisht që janë të mirëpritura por në këtë rast nuk qëndrojnë. Bordi ka një synim kryesor për rritjen e transparencës në çmime të karburanteve dhe gjithashtu ka për qëllim që në këtë kohë krize qeveria dhe aktorët në treg të jenë në një linjë të përbashkët në të cilën marzhet e fitimit duhet të jenë minimale me qëllim garantimin e furnizimit me çmime sa më të ulta të karburanteve. Në fakt ne po – e ndryshuam formulën me të cilën kalkulohet çmimi i shitjes me shumicë dhe me pakicë. Arsyeja kryesore ishte se në aktin normative të parë ne kishim parashikuar një tjetër çmim burse dhe një tjetër premium i cili është kostoja për transportin që kompanitë kanë. Na u desh ta ndryshonim për të reflektuar atë që realisht kompanitë shqiptare paguajnë. Në se më parë ishte parashikuar një çmim FOB me një premio tjetër realisht kompanitë shqiptare funksionojnë me çmim CIF Mediterranee dhe premio varet nga blerjet që ato kryejnë i cili është i reflektuar në faturë. Pra kjo ishte arsyeja kryesore pse ne ndryshuam mënyrën e kalkulimit të çmimit dhe ne duhet të garantojmë sigurisht që çmimet janë transparente që marzhet e fitimit të jenë sa më të ulta të cilat të mbulojnë kostot operacionale të kompanive por pa e dëmtuar tregun në sensin e falimentimit të kompanive. Pra sigurisht qeveria duhet të kujdeset për të dyja aspektet e furnizimit.
Zëri i Amerikës: A mendoni se është e nevojshme një lloj ndërhyrje ligjore për të garantuar konkurencën në mënyrë transparente në mënyrë që tregje të caktuara të mos kontrollohen nga një grusht i vogël kompanish?
Delina Ibrahimaj: Në fakt për tregun shqiptar janë 18 kompani të cilat janë kompani shumice, është një numër i madh kompanish të cilat tregtojnë e pakicë – pra ne mendojmë se aktorët janë të përshtatshëm për tregun tonë. Nga ana tjetër ne kemi vendosur që do të funksionojmë në një ekonomi tregu. Dhe krijimi i bordit në fakt është në kundërshti me parimet tona për funksionimin e ekonomisë së tregut ku çmimi nuk mund të përcaktohet nga qeveritë por duhet të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Kjo është një situate e jashtëzakonshme që na ka detyruar të marrim vendime të jashtëzakonshme por me tejkalimin e kësaj situate, në momentin që do të ketë një qartësi dhe një përfundim të luftës e cila do të ndikojë në qartësinë e parashikimeve që ne do të kemi, sigurisht do të dalim nga situate e bordit dhe do të vijojmë të punojmë në një ekonomi ku kërkesa dhe oferta përcakton çmimin dhe nuk janë institucionet shtetërore që përcaktojnë çmimin. Ky është një vendim që e kemi marr që në vitet 90 dhe nuk kemi pse ti kthehemi mbrapsh pasi vetëm kërkesa dhe oferta garantojnë efiçencën e tregut