Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e ftuar në emisionin “Të Pa ekspozuarit” me Ylli Rakipin u shpreh se Kuvend bëri ndarjen e partisë nga “pazaret” dhe nga “biznesi politik”.
“Kuvendi, nëse Foltorja zgjoi strukturën, Kuvendi bëri ndarjen nga pazaret. Ky Kuvend me rezolutën e tij, u distancua nga bojkoti, nga djegia e mandateve. Në njëfarë mënyrë u kërkoi falje shqiptarëve, për koston dhe dëmin që u ka shkaktuar shqiptarëve.
Është pika kur një forcë politike ndahet nga historia e një dekadë, që ishte më shumë biznes politik.
Ju e quajtët saga, unë do ta quaj proces. Një forcë politike që është dëmtuar aq rëndë, ka nevojë për një proces, që nuk është as i thjeshtë dhe as i shkurtër.
Për 6 muaj ka patur aq zhvillime dhe reflektim, sa ka të gjithë probabilitetin, për të hyrë në një fazë tjetër të këtij procesi që do të ri zgjojë shpresën dhe besimin.”