Kantina e Pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në pronësi të ish-ministrit Lefter Koka do vazhdojë të jetë e sekuestruar nga Prokuroria. Ish-ministri i arrestuar për “shpërdorim detyre” ka ankimuar vendimin e Apelit në Gjykatën e Lartë.
Mirëpo, sot është lënë në fuqi vendimi shkallëve të tjera të drejtësisë. Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit kishte vendosur që kjo pasuri në emër të Lefter Kokës të qëndrojë e sekuestruar deri në një vendim përfundimtar të gjykimit.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
Edhe vetë ish-ministri ndodhet në burg dhe më datë 17 maj do të përballet me GJKKO. Mbi Lefter Kokën rëndojnë dy masa sigurie “arrest me burg”, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. Dyshohet se ai ka përfituar 3.7 milionë euro nëpërmjet aferave korruptive.
RRETHANAT E FAKTIT
Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.
Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro).
Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).
Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.