Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, ka votuar sot kundër ngritjes së një Komisioni të Posaçëm për Investimet Strategjike. Lajmin e ka bërë me dije vetë një nga deputetet firmëtare, Jorida Tabaku.
“Sot Konferenca e Kryetarëve votoi kundër ngritjes së Komisionit të Posaçëm për Investimet Strategjike. Ky ligj përveçse ka dhënë favore në një grusht të caktuar te klientët e qeverisë, po shpronëson pronën private, ky ligj duhet të ishte objekt kryesor i diskutimeve në Parlament”, u shpreh Tabaku për mediat.
7 deputetë të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj, i kërkuan Kuvendit një javë më parë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për verifikimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik.
Sipas deputetëve të PD, megjithëse qëllimi i ligjit për investitorët strategjik, ishte pozitiv, në praktikë ka rezultuar se ai është përdorur kryesisht si një mekanizëm për t’u dhënë favore dhe përfitime njerëzve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.
Mirëpo, pavarësisht këtyre pretendimeve, Konferenca e Kryetarëve ka votuar kundër ngritjes së këtij Komisioni.