Më 17 maj 2020, godina e Teatrit Kombëtar u shemb dhe sot mbushen dy vjet nga ajo ditë, që kulmoi me protesta të fuqishme dhe arrestime të aktivistëve. Deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi sot se ajo ngjarje ka mbetur “një krim pa ndëshkim”.
“Kjo është dora që shkatërron. Këta janë vrasësit e kulturës, të trashëgimisë kulturore, të hapësirave dhe gjelbërimit. Janë klientë të korrupsionit, nxitës të kaosit, trafikut dhe betonit – komentoi Këlliçi mbi pamjet e zymta të asaj nate.
“Kjo osht Tirona jonë” e Edi Ramës, plani në mendjen e tij të sëmurë që kur ishte Ministër i Kulturës. Një kryeqytet pa teatër. por me shumë kulla në ndërtim. Qyteti ra kur ra teatri.
Edi Rama dhe Erion Veliaj goditën qëllimisht Teatrin për të instaluar diktatin e klientelës së tyre në zemër të Tiranës, për t’i treguar shqiptarëve se kush udhëheq këtu: pastruesit e parave të pista, bijtë e atyre që shkatërruan kisha, xhami e teqe; janë e njëjta farë shkatërrimtarësh.
Në kulmin e pandemisë, Edi Rama dhe Erion Veliaj realizuan aktin më të shëmtuar në historinë e Tiranës. Një krim pa ndëshkim!” thekson Belind Këlliçi.