Gjykata Themelore në Prizren të martën ka dënuar deputeten e LVV-së, Jetmire Vrenezi dhe ish-drejtorin e Inspektoratit në Prizren, Islam Thaqin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndaj tyre u dha dënimi me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë, raporton Syri.net Kosova.
Të akuzuarit tjerë në këtë rast, Egzona Morina Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.
Kjo ngriti reagime të mëdha nga përkrahësit e VV-së.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka përdorur një thënie të aktivistit të parë afrikano-amerikan për të drejtat civile në SHBA, Martin Luther King në reagimin e tij ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila ia dënoi me nga tri vjet burgim dy kolegët e tij, raporton Syri.net Kosova. “Padrejtësia diku është rrezik për drejtësinë kudo!”, ka shkruar Abrashi, ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Më tej për këtë reagoi edhe ish kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. Në një shkrim llogarinë e tij në Facebook, Haskuka ka thënë se nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë duhet të trajtohet si “keqpërdorim detyre”, raporton syri.net Kosova.
Ai përmendi Vettingun, që sipas tij duhet t’i jepet prioritet. “Kosova vend i çudirave .Vettingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, tha Haskuka.
Reagim për këtë pati edhe asambleistiti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemit. Sipas Azemit shteti po vazhdon të jetë i kapur e që këtë sipas tij duhet luftuar ende. ‘Por dënohen ata që mbrojtën pronën publike. Shteti vazhdon të jetë i kapur. Andaj edhe lufta për çkapje duhet të vazhdoj. Dhe jo vetëm me diplomaci…’. shtoi ai.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, të akuzuarit rrënuar aneks-objektin e “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren. Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.