Deputeti demokrat Luçiano Boçi, shkruan kundër bisedimeve të Alibeajt dhe Ballës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai thotë se Alibeaj kërkon përçarjen e opozitës duke favorizuar Ramën, kurse Balla ka interes të sulmojë opozitën.
“Domethënë janë bashkë dhe e vetmja gjë që i ndan është se Balla ka mandatimin e Asamblesë e Grupit Parlamentar të PS, ndërsa Alibeaj ka mandatimin e Ramës dhe Ballës. Përsëri diferenca nuk është aq e madhe! Pothuaj sa emri që ka në xhep Rama për President”, shkruan ndër të tjera Boçi.
Shënimi i plotë i deputetit të PD:
“Formula” për zgjedhjen e Presidentit na paska ngecur e ngatërruar në dilemën Balla Alibeajn apo Alibeaj Ballën. Do e shpallin nësër e në vazhdim të dy “me transparencë” në sofrën “publike” të interesave. Merre me mend si ka degraduar çështja e zgjedhjes së kreut të shtetit!?
Jashtë negociatave politike, siç e kushtëzon kushtetuta dhe brenda konsideratave të individëve politikë me prioritete krejt të ndryshme, por që asnjëri nuk e ka shqetësimin për Presidentin. Për ata, në fund të fundit, me kompetencat që e kanë katandisur, ai nuk ka pikë rëndësie.
I pari në formulë (mendoni kë të doni si të parë) ka interes të sulmojë opozitën duke pastruar Ramën. I dyti (gjithmonë sipas zgjedhjes suaj) kërkon përçarjen e opozitës duke favorizuar Ramën. Askush nuk mund ta dallojë ku fillon njëri e ku mbaron tjetri.
Dhe në fund kjo formulë pritet të pjellë Presidentin. Domethënë janë bashkë dhe e vetmja gjë që i ndan është se Balla ka mandatimin e Asamblesë e Grupit Parlamentar të PS, ndërsa Alibeaj ka mandatimin e Ramës dhe Ballës.
Përsëri diferenca nuk është aq e madhe! Pothuaj sa emri që ka në xhep Rama për President!