Avokat Spartak Ngjela diskutoi sot në emisionin ‘Pikat mbi i’ për rolin e SPAK dhe të amerikanëve në vend. Ngjela, tha se Shqipëria është mbajtur gjatë kësaj periudhe nga emigracioni dhe nëse kjo gjë ndryshon, situata do të jetë serioze. Ai tha se ka një plan anti-korrupsion të mbështetur nga SHBA, në mënyrë që gjërat në Shqipëri të futen në një rrjedhe tjetër.
“Politika që është marrë në këto çaste që ka qenë 100-vjetori i marrëdhënies mes Shqipërisë dhe SHBA, sjellin një ish-republikan. Kuptohet se të dyja krahët e politikës amerikane kanë dashur të thonë që nuk janë me korrupsionin shqiptar. Pompeo foli me të njëjtën gjuhë që flet politika amerikane në Uashington. Do të na e çojnë deri në fund luftën anti-korrupsion? Këtë se dimë.
DASH ka thënë që SPAK drejtohet nga ne. Ne nuk kemi aq forca për të krijuar SPAK-un. Korrupsioni është masiv. E kemi domosdoshmëri, ose do të shkatërrohet korrupsioni ose do të thellohet një krizë e madhe e Shqipërisë. Shqipërinë deri më tani e ka mbajt emigracioni. Mendoni ndonjëherë që remitancat nuk mund të vazhdojnë përjetë, sepse janë hapur kufijtë, janë bërë bashkimet e familjeve. Janë shumë gjëra. Ne nuk kemi prodhim. Imagjinoni si do të shkojë kriza nëse rrimë me krizën që kemi sot. Shqipëria nuk ka eksportim mallrash. Adam Smith ka thënë që puna është mall, atëherë çka eksportuar Shqipëria? Ka eksportuar punë.
Është mall puna thotë Adam Smith. Ajo na ka mbajtur deri më tani, 3 mld dollarë në vit. Kemi eksport? Po. Çfarë eksportojmë? Punë. A mund të vazhdohet kështu, nuk e di. Këto vijnë dhe konvergojnë në një pikë. Me këtë klasë politike nuk vijohet, është e korruptuar. Goditjen ndaj korrupsionit do e bëj SPAK. Logjika rrjedh që ka një plan anti-korrupsion që shqiptarët po e presin.”-shprehet Ngjela.