Presidenti Ilir Meta shkruan për transformimin e Tiranës dhe thotë se kryeqytetit nuk i ka mbetur asgjë krahasuar me atë që ishte 30 vite më parë. Sipas tij, Tirana sot është “një xhungël betoni dhe asfalti”.
“Me shërbimin më të keq shëndetësor, me fuqinë blerëse më të ulët dhe me ndotjen më të lartë të ajrit. Ky është rrethimi dhe kapja e programuar e kryeqytetit, mbyllje e perspektivës së tij dhe të banorëve. Çlirimi i Tiranës nga kjo zgjedhë asfiksuese është një detyrim qytetar dhe patriotik”, shkruan Meta ndër të tjera.
Shënimi i plotë i Presidentit:
“Tiranës së sotme nuk i ka mbetur pothuajse asgjë nga ajo e 30 viteve më parë. Hapësirat e gjelbra janë ngushtuar. Ndërtesa të reja po lartësohen çdo ditë, ndotja është shtuar, trafiku ka raste që është i papërballueshëm, parkimi është një mision, pothuajse i pamundur. Vlerësimet janë se 40% e ndërtimit qarkullon paratë informale, nga disa kompani, kryesisht në kullat e shtrenjta. Paraja informale duket se ka qenë lobuesi kryesor për të rritur sipërfaqen me leje ndërtimi”.
Këto janë konstatimet tronditëse, që i shohim çdo ditë dhe që i sjell në vëmendjen e banorëve të Tiranës, revista prestigjoze “Monitor” në editorialin që nuk duhet humbur: “Si po shpërdorohet e ardhmja e kryeqytetit!”
Me të drejtë një nga mendjet më të ndritura të kombit do ta krahasonte vite më parë Tiranën me “një xhungël betoni dhe asfalti”, të shndërruar në “lavatriçen” e pastrimit të parave të trafiqeve dhe korrupsionit, të shpërfytyruar dhe që portretizon më së miri atë sekt që nuk çmon as të shkuarën dhe as të ardhmen e popullit dhe vendit të vet, që ka shkatërruar çdo trashëgimi historike dhe kulturore, në zbatim të një projekti shkombëtarizues, ku më të rëndësishme janë paratë se vlerat.
Mbyllja e pamëshirshme e hapësirave jetësore për banorët e Tiranës, paraliza e lëvizjes qytetare, biznesit të vogël dhe të mesëm nga mafia e betonit, ngushtimet dhe devijimet e qëllimshme të rrugëve dhe nyjeve të trafikut, vetëm për t’i shërbyer një grushti klientelist dhe oligarkësh të lidhur me pushtetin e kanë renditur kryeqytetin, në qendrën urbane me cilësinë më të keqe të jetës në Europë dhe ndër të fundit në botë sipas statistikave më serioze.
Me shërbimin më të keq shëndetësor, me fuqinë blerëse më të ulët dhe me ndotjen më të lartë të ajrit. Ky është rrethimi dhe kapja e programuar e kryeqytetit, mbyllje e perspektivës së tij dhe të banorëve. Çlirimi i Tiranës nga kjo zgjedhë asfiksuese është një detyrim qytetar dhe patriotik!