Prokuroria e Tiranës është sot me drejtues të përkohshëm, pas shkarkimit nga detyra të kryeprokurores Elisabeta Imeraj, shkruan newsbomb.al KLP komandoi në krye të akuzës së Tiranës prokurorin Arens Çela.
Tashmë, kur gara është bërë zyrtare dhe afatet për dorëzimin e kandidaturave janë mbyllur, mësohet se janë dy magjistratë garojnë për të qenë drejtues të Prokurorisë së Tiranës. Bëhet fjalë për Arens Çelën dhe Kreshnik Ajazin.
Në 23 mars 2021 prokurori Arens Çela ka kaluar me sukses procesin e vettingut. Atëherë Çela ishte prokuror te Krimet e Rënda, dhe u konfirmua me vota te plota, pa ankim, nga Komisioneri Publik. Në vitet 2013-2016 ai ka mbajtur dhe postin e kreut të Krimeve të Rënda.
Edhe Kreshnik Ajazi është një emër i njohur i akuzës. Ai është drejtuesi aktual i Prokurorisë së Elbasanit, por kjo nuk e ka penguar të shprehë interes për t’u transferuar në Tiranë dhe në kreu të akuzës së kryeqytetit.
Kreshnik Ajazi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Vlorës, shkruan newsbomb.al
Më vonë ai u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2019 u komandua si drejtues në Elbasan. Më 26 mars 2021, Ajazi u caktua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit me një mandat 3 vjeçar.
Në qershor 2021, prokurori Kreshnik Ajazi kaloi me sukses procesin e vettingut. Gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme domethënëse për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.