Parlamenti Europian votoi këtë të enjte me 519 vota pro, 52 kundër dhe 28 abstenim rezolutën për Shqipërinë, mbi progresin në reformat e integrimit europian përgjatë vitit 2021.
Në këtë raport, PE i kërkon Këshillit të Bashkimit Europian që të hapë me shpejtësi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.
Eurodeputetët kanë vlerësuar orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.
Gjithashtu ata i kanë bërë thirrje Shqipërisë që të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të funksionuar në mënyrë më efikase gjyqësore, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë. Shqipëria të vijojë luftën me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.
Raportuesja e PE për Shqipërinë Isabel Santos tha: “Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar. Ajo vazhdon të ecë përpara me reformat themelore në lidhje me BE-në dhe po përmbush dhe ruan kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Është e drejtë që Këshilli më në fund të pranojë të hapë negociatat e vonuara me Shqipërinë, jo më pak përballë sfidave gjeostrategjike në rritje”.