Sfidat e mëdha mund dhe duhet t’i përballojmë vetëm të bashkuar në frymën e dashurisë për kombin dhe trojet tona, dhe me krenarinë e të qenit shqiptarë
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në manifestimin përkujtimor të 110-vjetorit të Kuvendit historik të Junikut.
Fillimisht Presidenti Meta, së bashku me Presidenten e Kosovës, Sh.S.Znj Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosën një kurorë me lule në shtatoren e Edmond Hoxhës, luftëtarit të paharruar të UÇK-së dhe Dëshmorit të Atdheut, rënë heroikisht në luftë për çlirimin e Kosovës.
Duke iu drejtuar Presidentes Osmani, kryetarit të Komunës së Junikut, z.Ruzhdi Shehu, profesorëve, historianëve dhe pjesëmarrësve të nderuar të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në Shkollën Fillore dhe të Mesme në Junik “Edmond Hoxha”, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:
“Çdo shqiptar kur përmendet ‘Kuvendi i Junikut’ krenohet me veprën e madhe dhe të lavdishme të burrave të kombit tonë, të cilët përpara 110 viteve lëshuan kushtrimin këtu në Junik, për liri dhe pavarësi nga zgjedha shumëshekullore osmane, si dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga fqinjët grabitqare.
Para 110 viteve Juniku u bë logu i Kuvendit për 250 burra trima të pendës dhe pushkës me në krye Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe Bajram Currin si dhe shumë e patriotë të tjerë, ku për katër ditë dhe net u diskutua dhe u debatua për bashkimin dhe fillimin e një kryengritjeje të përbashkët në Kosovë dhe mbarë Veriun e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e trojeve kombëtare.
Në atë Kuvend, në një moment vendimtar të historisë sonë kombëtare u lidh besa për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha 500-vjeçare osmane. Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër politike dhe ushtarake kombëtare për çlirim.
Treguesi më i qartë për këtë qëndrim të prijësve kombëtarë të asaj kohe, ishin edhe 12 pikat e programit të dala nga Kuvendi i Junikut, që u bënë edhe platforma kryesore e lëvizjes mbarëkombëtare për liri dhe për pavarësi, e cila kulmoj me Kuvendin e Vlorës në 28 nëntor 1912.
Kuvendit të Junikut i parapriu këtij projekti madhor kombëtar dhe pati një kontribut shumë të rëndësishëm, për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse gjysma e trojeve tona mbetën jashtë kufijve.
Por, sot pas mbas 110-vitesh ne, kemi shumë arsye jo vetëm të forcojmë kujtesën tonë historike, por të jemi mirënjohës ndaj atyre patriotëve të jashtëzakonshëm, që në kohë shumë të vështira treguan largpamësi, dhe i dhanë dritë një projekti mjaft të rëndësishëm kombëtar.
Ne sot i gëzohemi Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, që pret të hedhë një hap më tej drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por ne i gëzohemi më së shumti dhe të sakrifikuarës së madhe, 110 vjet më parë Kosovës, e cila është sot një shtet i lirë dhe i pavarur.
Një vend model për sa i takon demokracisë, zgjedhjeve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe respektimit të pakicave jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë kontinentin, dhe që ecën dhe ajo e sigurt drejt integrimeve euro-atlantike dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.
Po kështu shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi, janë kontribuues kryesor dhe kyç për orientimin euro-atlantik dhe demokratik të këtyre vendeve. Ndërkohë që vëllezërit tanë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc, po luftojnë për t’i bërë realitet të drejtat e tyre edhe pse me shumë vështirësi dhe pengesa.
Realizimi i të drejtave të tyre si pakicë kombëtare në Serbi, është një e drejtë legjitime të cilën duhet ta përkrahim akoma më shumë në të ardhmen.
Ne shqiptaret sot jemi më krenar, sepse jemi kontribues kryesorë të paqes dhe të sigurisë në rajonin tonë. E kemi dëshmuar dhe e dëshmojmë në vazhdimësi se jemi për fqinjësi të mirë, me të gjithë fqinjët tanë pa paragjykime, por të njëjtin respekt duhet që edhe ata ta tregojnë për ne.
Po kështu kemi treguar se jemi të hapur me të tjerët, por na duhet të jemi edhe më të hapur dhe më të bashkuar me njëri-tjetrin në të mirë të kombit tonë dhe të përparimit të interesave tona kombëtare.
Ne ndodhemi sot para sfidave të mëdha, dhe ato sfida mund t’i përballojmë dhe duhet t’i përballojmë vetëm të bashkuar, dhe në frymën e dashurisë për kombin dhe trojet tona, dhe me krenarin e të qenit shqiptarë kudo ku jemi. E përjetshme vepra e atdhetarëve tanë 110 vite më parë këtu në Kuvendin e Junikut. Rroftë Kombi Shqiptar, suksese Kosovës dhe 100 vjeç Europës!”