Kryeministri Edi Rama ka vënë sërish theksin te plehrat.
Gjatë një inspektimi së bashku me ministren Mirela Kumbaro, ai ka paralajmëruar se bashkitë që kanë bregdet këtë vit do të përballen me numrin më të madh të turistëve.
Sipas tij, si rrjedhojë do të ketë të ardhura më të mëdha, por do të ketë edhe më shumë mbetje.
Rama tha se ushtria ka ndërhyrë në këtë fazë të fundit për të pastruar mbetjet që janë krijuar nga prishja e ndërtimeve pa leje në bregdet dhe pas kësaj faze, duhet të jenë qytetarët ata që duhet ta mbajnë bregdetin e pastër.
“Do të jetë sezoni më i pastër edhe për shkak të punës së jashtëzakonshme që është bërë përditë, por edhe për shkak të instrumentit financiar që është vendosur për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare që po jetojnë një sezon shumëfishimi të popullsisë. Nëse nga njëra anë ne dhe bashkitë jemi për të pastruar, të tjerët duhet të jenë për të mos ndotur. Ky është elementi i parë i abetares së patriotizmit, të mos ndotim shtëpinë tonë të përbashkët.
Duhet të vazhdojmë t’i rrimë mbi kokë kësaj pune, sepse sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe sezoni me fluksin më të madh të turistëve dhe me nivelin më të lartë të konsumit. Përveçse të ardhura më të mëdha, do të ketë edhe më shumë mbetje. Me hyrjen e forcave të ushtrisë në këtë fazë të fundit për t’i dhënë një dorë të fundit gjithçkaje që ka mbetur dhe për të pastruar edhe mbetjet e shembjeve të të gjitha abuzimeve në rërë përmbyllet një fazë.”-tha Rama.