Grupi Parlamentar i PD ka ridepozituar sot të korrigjuar kërkesën me nënshkrimet e jo më pak se 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pas tërheqjes së deputetit Agron Duka për Komisionin Hetimor të Investimeve Strategjike.
Burime për Panorama.al bëjnë të ditur se me tërheqjen e Dukes janë shtuar ish kreu i PD, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj. Dëshirojmë të theksojmë se për deputetët nismëtar, zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik, janë detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Qëllimi i ngritjes së Komisionit Hetimor nuk është targetimi i posaçëm i asnjë investitori të ligjshëm, por të evidentojë abuzimet me ligjin dhe të marrë masat për frenimin e ketyre fenomeneve negative, korruptive dhe klienteliste.
Pasuritë publike nuk mund të jenë kurrë plaçkë për miqtë dhe familjarët e Edi Ramës, dhe detyra e Kuvendit është të marrë masat për të ndaluar abuzimet me zbatimin e ligjit për investimet strategjike dhe të nxjerr përgjegjësitë për këdo që ka shkelur ligjin”, thuhet ne njoftimin e Grupit Parlamentar te PD.
Dy dite me parë, gazeta “Panorama” mësoi përmes burimeve se menjëherë sapo nisi mbledhja me dyer të mbyllura për të shqyrtuar kërkesën e opozitës, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, mori fjalën dhe lajmëroi deputetët e opozitës se e kishte kontaktuar kryetari i PAA-së, Agron Duka, dhe kishte kërkuar që të tërhiqte firmën e tij nga dokumenti për ngritjen e një komisioni të tillë. Në këto kushte, kërkesa e opozitës nuk legjitimohej pasi sipas rregullores së Kuvendit për të ngritur një komision hetimor duhet mbështetja e së paku 35 deputetëve.
Po ashtu, mësohet se për të zgjidhur situatën, kryetari i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, kërkoi që në vend të Dukës të vendoste ai nënshkrimin e tij pasi nuk e kishte firmosur më herët, por kundërargumenti i maxhorancës ishte se në mbledhje i referohen dokumentit që është protokolluar.
Ndërkohë, më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, konfirmoi gjithashtu se edhe Mensila Doda e kishte kontaktuar për të tërhequr firmën e saj nga dokumenti për komisionin hetimor. Ndërkohë, Balla, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, tha se kërkesa e opozitës nuk përmbushte kriteret.
“Kërkesa ka rënë sapo është depozituar. Nuk përmbushte numrin minimal të deputetëve firmëtarë që mbështesin një kërkesë për komision hetimor. Duhen 35 ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit. Ky është kriteri bazë që kërkon Kushtetuta. Komisioni hetimor ngrihet kur atë e kërkon më shumë se ¼. 34 janë më pak se ¼. Matematika, ç’t’i bëjmë”, tha Balla.