“Gjendja në komisariatet e Tiranës është katastrofike!”, Ballanca nxjerr në pah skandalin: Blloku i sigurisë që u ndërtua nuk plotëson kushtet, Nano nuk e merr në dorëzim

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Avokatja e Popullit Endira Ballanca ka qenë sot e pranishme në Komisionin e Ligjeve, ku mes të tjerave është ndalur dhe te gjendja e komisariateve në vendin tonë, veçanërisht e qelive të paraburgimit. Ballanca e quajti skandaloze gjendjen e këtyre komisariateve në Tiranë, ku të ndaluarit mbahen në kushte çnjerëzore.

Duke u ndalur te rasti i Kamzës, Ballanca tha se ka pasur një komunikim me drejtorin e komisariatit, i cili i ishte shprehur se e kishte mbajtur të riun, në ambientet ku edhe i vuri flakën vetes, për shkak të mbipopullimit në drejtorinë e policisë së Tiranës.

Një tjetër skandal i nxjerr në pah nga Ballanca, është dhe ai i bllokut të sigurisë që është ndërtuar në Tiranë, që sipas saj nuk është marrë në dorëzim nga drejtori i policisë Gledis Nano, për shkak se nuk përmbush kushtet e sigurisë.

“Sa i përket gjendjes në komisariatet e Tiranës, në mënyrë të veçantë është katastrofike, tërësisht në kundërshtim me standardet për qëndrimin e personave të privuar nga liria. Kemi pasur raport për dhoma të mbyllura, dhe kur ne kemi shkuar për inspektim i kemi gjetur të hapura.

Futeshin brenda në komisariate, persona me zero kushte, për shkak se kishin protestuar në shkelje të rregullave anticovid. Ndërkohë në ato komisariate nuk ka pasur asnjë kusht, prej 3 vitesh në Tiranë po ndërtohet një bllok i dhomave të sigurisë, me një kapacitet tjetër, dhe me kushte të tjera.

Dhe aty kemi një problem, sepse është bërë një investim pa menduar, ky boks i ri nuk ka elementë sigurie në përputhje me ligjin, me të drejtë drejtori i policisë, kur ka shkuar për të marrë në dorëzim objektin, ka refuzuar, sepse nuk ka elementë të sigurisë. Kemi 7 muaj që qytetarët jetojnë në kushte skandaloze, për shkak se personi që duhet të kishte parë elementët e sigurisë, nuk e ka bërë detyrën e tij.

Kemi kërkuar ndjekje penale, lekët hidhen, dhe investimi në rastin konkret nuk po çon aty ku duhet të çonte, është një problem jo i vogël për Tiranën. Diku do të shkojnë këta njerëz, në rastin e Kamzës psh, drejtori i komisariatit ka thënë ‘ku ti çoj?, jam i detyruar’. Pra në fund të ditës problemi thelbësor që mbetet është se investimi që u bë…Unë kam bërë takim dhe me zotin Nano për këtë çështje”, u shpreh Ballanca.

Zjarr Tv Ad