Pasi rrëzuan rezolutën që dënonte gjenocidin e Srebrenicës, mazhoranca rrezikon të bëjë të njëjtën gjë edhe me rezolutën për masakrat serbe në Kosovë. Nënkryetarja e Kuvendit dhe njëherazi deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj u shpreh në një studio televizive se rezolutat dhe kërkesat për mocion me debat në Kuvendin e Shqipërisë, janë hipokrizi. Madje, zonja Felaj theksoi gjithashtu se rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë bie ndesh me “Ballkanin e Hapur”. “I takon kryetares së Kuvendit, që t’i bëjë pjesë të Konferencës së Kryetarëve, të dyja ose njërën, rezolutat për gjenocidin serb në Kosovë, të dorëzuara nga Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj. Është kryetarja e Kuvendit, që do të vendosë në raport me këto dy rezoluta. Është hipokrite kjo sjellje, që është bërë në modë për të kërkuar debat me mocion. Që prej vitit 2014 e deri më tani, mazhoranca po intensifikon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur para vitit 2009. Kjo shpreh vullnetin tonë për të qenë në mbështetje të plotë të Kosovës. Rezolutat e opozitës janë instrument për t’i rënë ndesh ‘Open Balkan’. Ne e kemi dënuar gjenocidin. Dhe më e rëndësishme është që tashmë kjo është në Gjykatën e Hagës. Nuk ka asnjë lloj morali, që mbështetet nga “non grata” e disa të tjerë, kur Sali Berisha e ka mbështetur politikën e Millosheviçit. Kjo është një kërkesë vetëm e një personi, që e ka emrin “non grata”. Sali Berisha do të pastrojë veten, do të rikonfirmojë veten, por kjo histori ka marrë fund”, u shpreh Felaj.
Reagon ashpër Sali Berisha dhe sulmon Ramën
Po vendimet e mazhorancës dhe paralajmërimi i deputetes Ermonela Felaj, ka bërë që ish-kryeministri Sali Berisha të reagojë ashpër, i cili ka dënuar refuzimin e votimit të rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë nga Edi Rama dhe mazhoranca socialiste. Në postimin e tij në “Facebook”, Berisha e ka quajtur Ramën vasal të Vuçiçit, i cili nuk e votoi rezolutën që dënonte gjenocidin serb në Kosovë për shkak të projektit serb “Ballkanit të Hapur”. Rama mohon genocidin serb në Kosovë! Refuzimi i rezolutës tonë për dënimin e genocidit serb në Kosovë nga vasal i Vuçiçit Edi Rama për shkak të Ballkanit të Hapur është akti antikombëtar më i rendë pas dorëzimit të Kosovës tek serbët nga Enver Hoxha. Ky akt antishqiptar është përdhosje e shpirtrave te 10 mijë shqiptarëve që u vranë dhe masakruan vetëm në lojën e fundit të Beogradit në Kosove. Mohimi i genocidit është krim i shëmtuar. Sb”, shkruan Berisha.
Mosnjohja e genocidit serb në Kosovë, tradhti e lartë kombëtare
Ndërkohë edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha ka reaguar ashpër pas deklaratës së nënkryetares së Kuvendit dhe deputetes socialiste, Ermonela Felajt, e cila u shpreh se PS mund të rrëzojë rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, Hoxha e quajti tradhti kombëtare qëndrimin e socialisteve, duke shtuar se Edi Rama nuk do të njohë gjenocidin serb për shkak të marrëdhënieve me Aleksandër Vuçiç. A ka amoralitet më të madh nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nuk njeh gjenocidin e Jugosllavisë ndaj popullsisë shqiptare. U dëbuan 1 milionë shqiptarë dhe i kemi mbajtur nëpër shtëpi, në vitin 1999. Dhe PS sot nuk ka kurajo t’i dalë në mbrojtje popullit shqiptar të Kosovës. E kuptoni çfarë thonë apo jo? Nuk duan të njohin gjenocidin sepse duan të ruajnë marrëdhëniet me Aleksandër Vuçiç, të kompozuar nga ati i tyre shpirtëror, George Soros. E keni rrethuar Kosovën me armiq, e keni rrethuar me marrëveshje financiare ku ajo nuk është pjesë dhe ju jeni antikombëtar, t’ju vijë turp nga ajo që deklaroni në këtë studio. Të mos njohësh gjenocidin serb të Kosovës është tradhti e lartë kombëtare. Duhet ta njohësh me rezolutë, duhet ta firmosësh. Rezoluta e dorëzuar në Kuvend nuk është dokument zyrtar për qeverinë, por është për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.