Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbajtur fjalimin e saj të parë publik këtë vit, duke thyer heshtjen për pushtimin rus të Ukrainës.
Merkel, e cila dha dorëheqjen në fund të vitit 2021, mbështeti punën e qeverisë gjermane, BE-së, SHBA-së, NATO-s dhe të tjerëve që synojnë t’i japin “fund kësaj lufte barbare”, siç e quajti ajo gjatë një fjale të mbajtur në Berlin.
“Solidariteti im shkon për Ukrainën, e sulmuar dhe pushtuar nga Rusia dhe për të drejtën e saj për vetëmbrojtje.”
Merkel është kritikuar për përpjekjet e saj për t’u angazhuar me Vladimir Putin gjatë periudhës 16-vjeçare në detyrë, veçanërisht për pranimin e gazsjellësit Nord Stream 2. Projekti i tubacionit u pezullua përfundimisht nga pasardhësi i saj Olaf Scholz, dy ditë para pushtimit rus.