“Do jesh i gjallë mes nesh, ndihemi më pak me largimin tënd pa kthim”/ Berisha përlotet teksa thotë fjalët e fundit për Bujar Nishanin

0
48
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka mundur të mbajë lotët teksa lexonte fjalët e lamtumirës për ish-presidentin Bujar Nishani. Berisha tha se Nishani la pas veprat dhe mirësitë  e tij dhe se kujtimi i tij do të mbetet i paharruar.

“U prefsh në paqe e dheu i kësaj toke qoftë i lehtë për ty”-ishin fjalët e fundit me zërin që i dridhej të Berishës për bashkëpunëtorin dhe mikun e tij prej vitesh.

Berisha: I dashur Bujar, sot fëmijët, Ersi, Fiona, shoqja jote e jetës Odeta, baba Faiku, vëllezërit, të afërmit, miqtë tu, qytetarët e këtij vendi jemi këtu rreth teje të të përcjellim me dhimbje të madhe e pikëllim të thellë në udhëtimin tënd pa kthim, të përjetshëm, të parakohshëm që nise pasi ke ngjitur si rrallë kush tjetër shkallët e jetës dhe ato më të larta të detyrës.

Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë që ne do jetojmë, do mbetesh i gjallë midis nesh në veprat, fisnikërinë, dhuntitë e larta morale, përkushtimin e pakufijshëm, shërbimet e mëdha dhe të çmuara ndaj Shqipërisë e shqiptarëve në rrugëtimin e tyre në liri. Vlerat morale, veprat, mirësitë e njeriut janë pavdekësia e tij.

Me ne do të jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i ndershëm, qytetari i përgjegjshëm dhe atdhetar, , prindi i dashur e shembullor, shërbëtori i qytetarëve shqiptarë, demokrat i flaktë dhe guximtar, drejtuesi i talentuar i PD, burrështetasi fisnik, presidenti dinjitoz që i dha vendit nder e dinjitet të veçante. Pas kësaj lamtumire e të papritur me ty, secili prej nesh ndihet më i pakësuar se me ndarjen e trishtë me ty, kemi humbur një pjesë të çmuar të shpirtit dhe zemrës tonë.

Odeta ndihet sot më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe prej saj. Për Ersin dhe Fionën është dita më e dhimbshme e jetës së tyre por do të jenë krenar se patën fatin të kenë një baba si ty. Do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi. Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe të gjithë ata që bëjnë gjithçka që ti të mos niseshe sot në këtë rrugë.U prefsh në paqe (përlotet)…e dheu i kesaj toke qofte i lehte per ty. Lamtumirë!

Zjarr Tv Ad