Deputeti socialist Petro Koçi, thotë se të shtunën mazhoranca do të propozojë emrin për Presidentin e ri të Republikës. Sipas tij, procesi deri tani ka qenë konfidencial, por Koçi thotë i sigurt se në fundjavë do të ketë një emër.
“Të shtunën i sigurt emri i presidentit. Deri më tani procesi është konfidencial dhe ky është një proces i natyrshëm. Nëse PD do të ishte e unifikuar do të kishim një veprim edhe më të qartë dhe më të materializuar për propozim konkret. Por fakti se ato janë dy palë dhe përgjithësisht akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti besoj se i ka penguar të bënin ndonjë hap real, në këtë drejtim”, tha ai.
I ftuar në Ora News, Petro Koçi u shpreh se mazhoranca ia la të drejtën e propozimit opozitës në tre raundet e para dhe socialistët nuk kanë asnjë përgjegjësi që procesi nuk u konkretizua me një emër.
“Ne ia kishim lënë të drejtën e propozimit opozitës për tre raundet e para. Këtu s’ka ndonjë përgjegjësi PS. Sigurisht që retorika opozitare, gjithmonë përpiqen që për çdo gjë që nuk ndodh siç duhet të akuzojnë mazhorancën.
Qasja jonë ka qenë për një figurë sa më të pranueshme nga opozita, nëse jo nga e gjithë opozita nga një pjesë e saj. Nuk ka ndonjë interes mazhoranca që presidenti të quhet patjetër i veti. Një pjesë e akuzës nga ana e opozitës është e pambështetur”, tha deputeti i PS Petro Koçi.