Komisioneri Publik Florian Ballhysa njoftoi të premten ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, duke kërkuar shkarkimin e këtij të fundit për problemet e kriterit profesional.
Shehaj u konfirmua në detyrë më 1 prill 2022, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u bind nga shpjegimet dhe provat e tij për barrën e provës për pasurinë dhe për konstatimet në kriterin profesional.
Por komisioneri Ballhysa pretendon se nga shqyrtimi i vendimit të Komisionit për Shehajn dhe aktet e administruara, paraqiten gjetje dhe rrethana të tilla ligjore e faktike që nuk përmbushin kriteret dhe standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes, që garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut.
Në ankim vërehet fakti se KPK ka evidentuar gjetje në të gjitha burimet e vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, si në raportin e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP; në raportin e përditësuar të organeve ndihmëse; ankesat dhe kallëzimet e regjistruara ndaj tij; si dhe në denoncimet nga publiku, për të cilat është kaluar barrë prove e kërkuar shpjegime.
Ndryshe nga Komisioni që nuk i ka vlerësuar penalizuese gjetjet, komisioneri çmon se problemet e verifikuara në çështjet e analizuara, janë të tilla që cënojnë konkluzionin se subjekti arrin nivel minimal kualifikues në kriterin profesional.
“Referuar rezultateve të hetimit administrativ mbi këto akte, Komisioneri Publik çmon se subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpjegime bindëse, si dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës, mbi gjetjet e rezultuara nga burimet e administruara, të cilat duhet të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit,” konstaton Ballhysa dhe rendit gjetjet e tij për secilën prej çështjeve.
Në një procedim penal të vitit 2014 të regjistruar për veprat penale “goditje për shkak të detyrës” dhe “kanosje për shkak të detyrës”, të hetuar nga subjekti, i dëmtuari ka qenë një punonjës policie ndërsa autori ka rezultuar person me precedentë penalë të mëparshëm.
Nga verifikimi dosjes është konstatuar se Shehaj ka zgjatur afatet e hetimit dy herë, me qëllim kryerjen e veprimeve të reja hetimore. Megjithëse disa veprime nuk janë kryer, subjekti ka vendosur pushimin e procedimit penal me argumentin se fakti nuk përbën vepër penale. Ai ka arsyetuar se nga provat e administruara ka rezultuar se punonjësi i policisë nuk është goditur.
Drejtuesi i prokurorisë është shprehur kundër pushimit të procedimit, duke theksuar se nuk është kryer asnjë veprim hetimor procedural pas datës së kontrollit.
Në përfundim, Komisioni ka konstatuar se veprimet hetimore të kryera nga prokurori Shehaj, kanë qenë të pamjaftueshme për të konkluduar në pushimin e procedimit penal, por duke u bazuar në parimin e proporcionalitetit, ka çmuar se gjetjet nuk mund ta penalizojnë atë dhe e ka transferuar për inspektim në ILD.
Ballhysa vlerëson se subjekti nuk i ka kundërshtuar dot gjetjet e konstatuara në KPK.
“Komisioneri Publik, për sa ka rezultuar nga hetimi i Komisionit, vlerëson se moskryerja e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, mënyra jo e saktë e vlerësimit të fakteve dhe provave, argumentimi jo i plotë dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore, bien ndesh me kriteret e parashikuara në nenin 73, pikat 2 dhe 3, dhe 74, pika 4 e ligjit nr. 96/2016, dhe duhen të merren nga Kolegji në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes”, citohet në ankim.