Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama për të cilën thotë se bën propagandë duke inauguruar kopshtin zoologjik por në realitet qytetarët po përballen me rritjen e madhe të çmimit të ushqimeve.
Reagimi i Dashnor Sulës:
Qeveri makiazhi.
Ka 9 vite që qeveria me makinacionet e veta orienton debatin publik larg problematikave reale. Kreu i qeverisë merret me inaugurimin e Kopshteve Zoologjike ndërkohë që shqiptarët çdo ditë e kanë më të vështirë të blejnë bukën, vezën, djathin e vajin. Ashtu si edhe për pandeminë Covid-19 edhe për përballimin e krizës së çmimeve të larta pas luftës në Ukrainë, qeveria shqiptare ka dhënë mbështetjen më të ulët financiare për shtresat në nevojë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në krahasim me vendet e tjera të Rajonit.
Banka Botërore, në raportin e fundit rajonal vuri në dukje se paketat e ndihmës për përballimin e krizës, të dhëna deri në fillim mars 2022, ishin më të lartat në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Paketa që përfshin mbështetjen kundër krizës së ushqimeve në Shqipëri ishte sa 0.3% e PBB-së, ndërsa në Maqedonia e Veriut kishte paketën më të madhe antikrize me 3.6 për qind të PBB, ku një pjesë e saj 1.5 % ishte në formën e përjashtimeve nga taksat, 0.3% përfitime sociale dhe 1.9 për qind subvencione të drejtpërdrejta.
Serbia akordoi 2 % të PBB për paketën e krizës së çmimeve ku 1 për qind ishin pagesa sociale dhe 1 % përjashtime nga taksat. Kosova dha gjithashtu 0.7% të PBB-së së saj ku, 0.3 % ishin subvencione dhe 0.4% e PBB-së ishin transferta sociale.
Mali i Zi dha vetëm 0.2% të PBB-së, ku 0.1 ishin transferta sociale dhe 0.1% të PBB-së ishin subvencione. Bosnja dha 0.6% të PBB-së ku 0.1 % ishin transferta sociale dhe 0.3 ishin subvencione.
Ndërkohë çmimi i naftës prej një jave është fiksuar abuzivisht nga “Bordi i Rritjes së Çmimeve”, ndërkohë që në bursë ka rënë. Ne duhet të reagojmë të gjithë si shoqëri për ta vendosur para përgjegjësisë qeverinë e papërgjgjshme!