Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kërkon nga Bashkimi Evropian që “t’i bëjë presion” Serbisë për të njohur Kosovën.
Moisiu deklaroi në një intervistë për “KosovaPress”, se pas agresionit rus në Ukrainë dhe mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia, Bashkimi Evropian nuk duhet të përkëdhelë Serbinë.
Ai kërkon kujdes dhe vigjilencë të Kosovës dhe Shqipërisë edhe për armatosjen e Serbisë nga Rusia dhe Kina.
“(Serbët) e kanë të vështirë këtë (njohjen reciproke), nuk po hy arsyet pse, ata e dinë më mirë. Por ai është maksimumi që ne kërkojmë, prandaj duhet hap pas hapi. Këtë punë Evropa e ka në dorë më shumë se kushdo për të shtrënguar Serbinë dhe mos të përkëdhelin. Pasi e kanë përkëdhelur deri tani, konsideronin se më mirë është të kenë Serbinë sesa Rusinë”, thotë ai.
Sipas tij, dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë për të arritur vetëm një epilog përfundimtar dhe jo për të zvarritur procesin.
“Edhe rusët edhe serbët kanë të njëjtën gjuhë, kjo nuk është e rregullt dhe kjo na shqetëson. Ne i themi fqinjëve tanë, siç kemi jetuar bashkë, do të vazhdojmë të jetojmë, por si komshi. Unë përdor shpesh një fjalë, shokun dhe mikun mund të zgjidhesh, por komshiun ta jep Zoti. E rëndësishme është që të gjejmë mënyrën si të merremi vesh dhe të jetojmë në paqe.
Sigurisht kjo nuk është aq e thjesht sa thuhet, por duhet të arrihet. Pasi për të zgjidh problemet, dy rrugë ka, ose me armë, ose bisedojmë. Me armë, lufta këtu është bërë, tani ka ardhur koha të ulet në tavolinë, por me drejtësi, ndershmëri për t’i zgjidhur problemet dhe jo për të zgjatur kohën, këtu duhet edhe Evropa të jetë e kujdesshme”, shton ai. Ish-kreu i shtetit shqiptar thotë se Serbia është vend autokrat, prandaj duhet kujdes nga veprimet e tyre.
“Ne, Shqipëria dhe Kosova, vërtetë jemi paqësorë, por duhet të mendojmë edhe më të keqen. Armatoset Serbia, por pse armatoset? Pyetja është jo që armatoset mos do të sulmojë, mos e ka në mendje. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të marrim masa, edhe Kosova dhe Shqipëria, duhet të jemi më seriozë. Kujt ia merrte mendja se Rusia do të sulmonte Ukrainën, asnjë njeri. Janë vende autokrate, edhe Serbia është vend autokrat, nuk është në peshën e Rusisë, por është”, thekson Moisiu.
Ai shton se Kosova duhet t’i bashkohet iniciativës rajonale “Ballkani Hapur”.
Amerika dhe Bashkimi Evropian e thanë troç se këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje politike, është çështja te zgjidhja e problemeve ekonomike. Pasi problemet politike do të vazhdojnë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe BE-së… ‘Ballkani i Hapur’ ka rol ekonomik, Kosova duhet t’i bashkëngjitet, pasi Kosova bën tregti me Serbinë, pavarësisht se mund të ketë ra, por vazhdon. Duhet të zgjidhen të gjitha problemet, por pikësynimi është se as ju dhe as ne nuk heqim dorë nga pavarësia e Kosovës dhe njohja e reciproke. Pasi s’mundet të vazhdojë kjo në pafundësi në konflikt të ngrirë. Prandaj edhe kancelari gjerman e thekson me të madhe këtë punë”, përfundon Moisiu.