Kryeministri Edi Rama ka thënë sot mes tij dhe homologut shqiptar Albin Kurti nuk ka as “xixa” e as “çështje të hapura”, shkruan newsbomb.al. Edhe pse nuk e përmendi, ai ju përgjigj indirekt disa lajmeve të përhapura në media para mbledhjes së dy qeverive sot, se kishte thënë në Ohër “do ta rrëzoj Albinin”.
“Ishte një qen aty që lehte para se të fillonin hymnet, mirëpo pas këndimit të hymneve edhe qeni nuk lehu më”, u shpreh Rama ndër të tjera, duke u përgjigjur më pas dhe për spekulimet e disa analistëve dhe mediave, në Prishtinë dhe në Tiranë.
“[…] mbase jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve, që kërkojnë të fusin vazhdimisht xixa mes nesh dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu. Nuk ka të tilla, ne jemi shumë të hapur dhe çështje për të cilat s’merremi vesh kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh”, vijoi ai.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:
Edhe një herë me shumë sinqeritet dhe respekt, faleminderit për këtë mundësi. Faleminderit edhe për ndalimin e shiut, se ka pas herë pas herë reshje 20 minutëshe që mund të prishnin problemin… Ishte një qen aty që lehte para se të fillonin hymnet, mirëpo pas këndimit të hymneve edhe qeni nuk lehu më.
Ç’ka mbase jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve, që kërkojnë të fusin vazhdimisht xixa mes nesh dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu. Nuk ka të tilla, ne jemi shumë të hapur dhe çështje për të cilat s’merremi vesh kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh.
Me të falat përkatëse për qenin unë e konsideroj të hapur këtë mbledhje.
Tani ne na lejohet të bëjmë edhe vërejtje këtu se mbledhje pune është. Qëkur Vetëvendosja ka marrë Qeverinë këto gërmat këtu janë zvogëluar, besoj për kursim letre, por sepse tanimë fakt i njohur se Vetëvendosja është një forcë qeverisëse shumë e kujdesshme për shpenzimet buxhetore.