Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, mëngjesin e kësaj të mërkure e ka nisur duke çelur zyrtarisht sezonin turistik veror për këtë vit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Leli shkruan se dita e sotme është më e gjata e vitit në Vlorë dhe vlonjatët e dallojnë këtë gjë nga raporti i diellit me Sazanit. Kryebashkiaku nuk ka harruar të përmendë as turistët besnikë që vizitojnë Vlorën duke shtuar se përveç vlonjatëve dhe ata dinë të shquajnë se ku zbret dielli në solsticin veror.
“Vlonjatët i dallojnë stinët edhe nga raporti i diellit me Sazanin, por kaq të shumtë sa janë turistët në Vlorë, vit pas viti, dinë ta shquajnë edhe ata se ku zbret dielli në solsticin veror. Diellndalimi i kësaj dite, më të gjatë se të tjerat, është festa që çel zyrtarisht verën, bashkë me të edhe shijimin e Jonit e Adriatikut të mrekullueshëm”, shkruan Leli.