Parlamenti bullgar i ka dhënë mandatin kryeministrit në largim Kiril Petkov për të hequr veton për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE për sa kohë që ajo të nënshkruajë protokollin dypalësh të bazuar në marrëveshjen e fqinjësisë së mirë.
Parlamenti votoi sot “PRO” me një shumicë dërrmuese në një votim që u zhvillua pak pas mesditës të së premtes (24 qershor). 170 votuan pro, 37 kundër dhe 21 abstenuan për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, që mbante peng dhe Shqipërinë në rrugën e intergimit.
Tashmë vendimin e ka në dorë kryeministri Kiril Petkov, i cili më parë është shprehur pro nisjes së bisedimeve mes dy vendeve, por më parë duhet të vendosnin deputetët për veton. Ai ka marrë pjesë dje në Samitin e Brukselit, ku ka patur një takim te tensionuar me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski.
Ligjvënësit votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kornizës që do të garantonte të drejtat e bullgarëve në vend nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe do të angazhonte Shkupin për të mbajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë.
Një ditë pasi blloku i dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, votimi shënoi një tjetër hap drejt zgjerimit të BE-së, duke hequr një veto që ishte vendosur në vitin 2020 për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth historisë dhe gjuhës me Maqedoninë e Veriut.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut prej dy vjetësh mbahen peng nga Sofia zyrtare në procesin e integrimit, duke qenë se këta të fundit këmbnëgulin që Shkupi të ndryshojë gjuhën zyrtare. Bllokada e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut ka mbajtur peng edhe Tiranën, pasi BE ka kërkuar që dy vendet të mos ndahen.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë kanë pasur sot një “luftë deklaratash” në distancë, për shkak se kreu i qeverisë shqiptare e ka quajtur “turp” vendimin e Bullgarisë, “një vend i NATO-s që mbante peng dy vende të tjera, po aleate në NATO”.